TIRANE– Gjykata e Lartë ka shpallur moskompetencë për çështjen “Doshi-Frroku-Bami”. Deputeti Tom Doshi, ish-deputeti Mark Frroku, dhe shtetasi Durim Bami akuzohen për “kallëzim të rremë në bashkëpunim”.

Kjo është dosja e tretë që kalon për gjykim tek Krimet e Rënda.

Pas ndryshimeve ligjore (Kodi i Procedurës Penale), kjo çështje nuk mund të gjykohet më nga Gjykata e Lartë dhe për këtë arsye ka kaluar në kompetencën e Gjykatës së Shkallës së Parë për Krimet e Rënda.

Doshi përballet me masën “detyrim paraqitje”, Durim Bami mbahet në arrest shtëpie, ndërsa ish-deputeti Mark Frroku në “arrest me burg”, për shkak të një dosjeje tjetër hetimore të hapur në ngarkim të tij në Belgjikë.

Prokuroria mban qëndrimin se vepra e “kallëzimit në bashkëpunim” qëndron në faktin se të tre të pandehurit kanë fabrikuar prova të rreme, sikurse është videoja Doshi-Bami, në të cilën flitej për një skenar ekzekutimi në dëm të deputetit Doshi me porosi të Ilir Metës, në atë kohë kreu i Kuvendit.

Për çështjen hetimore, e cila pas qëndrimit të Doshit se Durim Bami ishte ndërmjetësuar për të kryer vrasjen e tij, në Prokurorinë e Krimeve të Rënda u thirrën personalitete të jetës politike në vend, që nga kryeministri Rama, ish-kryeminisri Berisha, Presidenti Meta, ish-ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri, e një sërë deputetësh.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: