TIRANE– Ish-shefi i Policisë së Vlorës, Jaeld èela, i dyshuar si garantor i grupit të “Habilajve” në trafikun e drogës, ka gati një vit që i fshihet drejtësisë. Edhe pse në arrati, ai ka ankimuar vendimin e Gjykatës së Krimeve të Rënda për zgjatjen e hetimeve me tre muaj të tjerë.

Përmes avokatit të tij, ish-zyrtari i policisë ka depozituar një kërkesë penale që ka për objekt “ankimin mbi zgjatjen e afatit të hetimeve”.

Kujtojmë se me një vendim të datës 25 gusht Prokuroria e Krimeve të Rënda vendosi zgjatjen e hetimeve edhe me tre muaj ndaj Jaeld Çelës dhe Gjergji Kohilës.

I kontaktuar me telefon nga “BalkanWeb”, avokati i Jaeld Çelës, Petrit Ismaili thotë se ka kundërshtuar zgjatjen e hetimeve nga ana e prokurorisë.

“Kërkojmë mbylljen e çështjes, pasi nga materialet e vëna në dispozicion nga Prokuroria e Krimeve të Rënda, nuk ka asnjë provë që implikon klientin tim”, thotë Ismaili për “BalkanWeb”.

Seanca për shqyrtimin e kërkesës pritet të mbahet në datën 21 shtator.

Kjo nuk është hera e parë që Çela ankohet për zgjatjen e afatit të hetimit. Ai bëri të njëjtën kërkesë nga arratia në mars të këtij viti, kur hasi në refuzimiun e gjykatës. Gjykata për Krimet e Rënda zgjati hetimin ndaj ish-kreut të Policisë së Vlorës Jaeld Çela dhe ish-shefin e hetimit të narkotikëve, Gjergji Kohila deri më 20 nëntor 2018 në ditët e para të shtatorit. Kërkesa për zgjatje u argumentua nga prokuroria me nevojën e kryerjes së disa veprimeve hetimore shtesë.

Përveç tyre në kërkim është edhe ish-zyrtari tjetër i Policisë së Vlorës, Sokol Bode. Urdhërarrestet për Jaeld Çelën dhe dy ish-zyrtarët e tjerë të Policisë së Vlorës, Gjergji Kohila dhe Sokol Bode u lëshuan në nëntor të vitit 2017. Prokuroria përmend në dosje se për kryerjen e veprimtarisë kriminale, dy vëllezërit, Moisi dhe Florian Habilaj, gjetën mbështetjen e ish-shefit të Stacionit të Policisë Kufitare të Dhërmiut, Sokol Bode, i cili mbajti këtë detyrë nga dhjetori i 2013-s deri në maj të 2016- s.

Sipas prokurorëve të Krimeve të Rënda, tre ish-zyrtarët e Vlorës kanë ndihmuar dhe garantuar paprekshmërinë e grupit kriminal të “Hablilajve” në trafikun e drogës drejt Italisë.

Vendimi për zgjatjen e hetimit me tre muaj:


(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb