Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) ka paraqitur pretencën përfundimtare në procesin gjyqësor ndaj Fatime Kryemadhit, Piro Xhixhos dhe Ema Çokut.
Piro Xhixhon, SPAK e ka shpallur fajtor për akuzën e korrupsionit të kryer në bashkëpunim dhe ka kërkuar dënimin me 4 vite e 6 muaj burg. Për shkak të gjykimit të shkurtuar, dënimi reduktohet në 3 vite burg. Për shkak të moshës dhe rrethanave familjare prokuroria ka kërkuar të konvertohen në 4 vite shërbim prove.
Ndërkohë, për Fatime Kryemadhin, SPAK ka kërkuar 7 vite e 6 muaj burg. Si rezultat i gjykimit të shkurtuar, dënimi ulet në 5 vite burg, ndërsa prokuroria ka kërkuar pezullimin e ekzekutimit të tij dhe konvertimin në 5 vite shërbim prove për shkak të moshës. Po ashtu SPAK ka kërkuar konfiskimin e shtëpisë së Fatime Kryemadhit.
Sipas SPAK, Fatime Kryemadhi nuk justifikon 98 mijë euro, 246 mijë dollarë, 100 mijë euro të deklaruara si pagesa nga kompania “Agi Cons” për shlyerjen e kredive, si dhe 310 mijë euro të tjera që konsiderohen me burim të pajustifikuar. Prokuroria deklaroi se për blerjen e apartamenteve janë marrë dy kredi, por ato janë shlyer me para në dorë, të cilat, sipas akuzës, nuk kanë burim të ligjshëm të provuar.
Për të pandehurën Ema Çoku, SPAK ka kërkuar që ajo të shpallet fajtore për veprën penale të pastrimit të parave dhe të dënohet me 7 vite burgim. Për shkak të gjykimit të shkurtuar, dënimi reduktohet në 4 vite e 8 muaj burg. SPAK ka kërkuar që dënimi të konvertohet në 5 vite shërbim prove për shkak të rrethanave familjare.
Në konkluzionet e saj, Prokuroria e Posaçme ndalet edhe tek Ema Çoku, për të cilën pretendon se ka pasur lidhje të ngushtë me Monika Kryemadhin.
Sipas SPAK, kjo marrëdhënie provohet jo vetëm nga komunikimet e shpeshta mes tyre, por edhe nga një sërë transaksionesh bankare. Organi i akuzës pretendon se Ema
Çoku ka firmosur deklarata noteriale, sipas të cilave i kishte dhënë Fatime Kryemadhit 240 mijë euro.
SPAK thekson gjithashtu se kompania e Ema Çokut ka paguar faturat e hotelit për shtetas të huaj që kishin ardhur për të mbështetur Lëvizjen Socialiste për Integrim (LSI), si dhe shpenzime të lidhura me aktivitete të Lëvizjes Rinore për Integrim (LRI).
Prokuroria shton se Ema Çoku ishte debitore pranë bankave të nivelit të dytë për kredi në shuma të konsiderueshme dhe, sipas saj, nuk kishte mundësi financiare për të bërë donacione të tilla.
