“SPAK e ka trembur Ramën dhe këtë e ka treguar fakti që kryeministri mbrojti Ballukun”, kështu u shpreh gazetari Ermal Peçi në një intervistë në “News24”.
Gjatë intervistës, Peçi vlerësoi punën e SPAK duke thënë se ky institucion ka treguar se ka bërë punë shumë të mirë, megjithatë ka ende punë për të bërë.
Ai u shpreh se kryeministri Edi Rama ka dalë hapur kundër SPAK dhe zgjodhi të mbrojë Ballukun.
“Koha tregon vetëm të vërtetën, mund të na nxjerrë edhe informacione. Dosjet po hetohen dhe po thellohen dhe ne nuk dimë materialet e reja që mund të ketë gjetur. Këta vetëm kanë vjedhur.
SPAK ka treguar që po e bën punën, treguesit janë Saimir Tahiri, Erion Veliaj. Nuk duhet të bëjmë gabimin që ta identifikojmë institucionin me personin që e drejton. SPAK është themeluar nga SHBA, BE, Britania e Madhe. Në disa raste kemi parë dekonspirim, kemi arrestimi nga BKH nga keto raste.
Pra SPAK sot po vepron në një presion të madh.
Por ajo që duhet të shohim është se SPAK e ka trembur kryeministrin Rama që në momentin kur i dha mbrojtje Ballukut. Dhe Rama ka dalë hapur kundër SPAK. Por kanë mbledhur informacione dhe kur të shkojnë në momentin kritik, të mos kenë kundërshtime apo interpretim. Personat që akuzohen dhe janë të përfshirë në korrupsion duhet t’u sekuestrohen pasuritë”, tha ai.
Më tej Peçi komentoi edhe vendimin e Senatit Amerikan që konfirmoi Eric Wendt si ambasador të ri në Shqipëri.
Kandidatura e Wendt u votua në seancën plenare të Senatit me 50 vota pro dhe 44 kundër, pas mbështetjes së marrë më herët në Komitetin për Marrëdhëniet me Jashtë.
Pas miratimit nga Senati, procedura pritet të përmbyllet me nënshkrimin e Presidentit amerikan Donald Trump, i cili është hapi i fundit për formalizimin e emërimit të tij si ambasador i Shteteve të Bashkuara në Shqipëri.
Gjatë intervistës, Peçi tha se Wendt do të jetë një “tërmet” për klasën politike shqiptare.
“Unë besoj fort që zoti Wendt do të jetë një ambasador i SPAK. PD e PS i ka kapur pesimizmi. E dimë që klasa politike shqiptare është e kontaminuar. E di mjaft mirë që korrupsioni është plaga më e madhe e shoqërisë shqiptare sot që shkaktohet nga kjo klasë politike dhe ky do të jetë një tërmet i mirëfilli për klasën politike dhe këta do bëjnë një garë se kush do t’i shpëtojë drejtësisë”, tha ai.
