NGA IV KALOÇI*

(vijon nga numri i djeshëm)

Sot në “Gazeta Shqiptare” botohen 8 foto, duke u përpjekur që të hidhet sadopak dritë në kronologjinë e historisë famëkeqe 48-vjeçare të Sigurimit të Shtetit. Në këto foto të periudhës 1945-1991 tregohet qartë natyra dhe karakteri represiv i kësaj arme të Ministrisë së Punëve të Brendshme, e cila u përdor nga diktatori Enver Hoxha për të ruajtur pushtetin personal të tij dhe njëkohësisht për të shtypur çdo lloj forme të opozitës ndaj tij. Në këto 8 foto kemi paraqitur disa nga ngjarjet më kryesore ndër vite, të cilat do ta kthenin këtë institucion në një nga emrat më të tmerrshëm për vetë popullin shqiptar, të cilin ai ishte krijuar që ta mbronte.

FOTOGRAFITE E NGJARJEVE
1 – Vrasja e Pal Melyshit. Fushëbeteja më e madhe ndërmjet reparteve të Forcave të Ndjekjes të Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe rezistencës antikomuniste të quajtur ndryshe dhe si “bandat e diversantëve” do të ishte padyshim rrethi i Mirditës. Vrasja e bujshme e eksponentit më të lartë komunist dhe njëkohësisht Sekretarit të Parë të këtij rrethi, Bardhok Bibës, në 7 gusht 1949 nga pjesëtarët e “Komitetit të Maleve”, qeveria e Tiranës do të provokonte një hakmarrje të ashpër mbi popullsisë e asaj zone.

Rreth 15 vetë do të ekzekutoheshin pa gjyq në vendin e quajtur Qafa e Valmirit nga pjesëtarët e batalioneve territoriale të MPB-së të udhëhequra nga Zija Kambo dhe Mehdi Bilbili. Por, kjo betejë nuk do të mbaronte këtu. Të shumtë do të ishin eksponentët e lartë të Sigurimit të Shtetit, të cilët do të infiltroheshin në brendësi të formacioneve të rezistencës antikomuniste për të njohur më nga afër strukturën organizative të këtyre bandave. Një nga pjesëtarët më me influencë të Sigurimit të Shtetit në këtë krahinë ishte pikërisht Pal Mëlyshi.

Çuditërisht Mëlyshi vinte nga një familje antikomuniste (babai i tij, Nikkol Mëlyshi, ishte eksponent i rezistencës, i arratisur në SHBA). Në këtë mënyrë, Sigurimi i Shtetit fillon të përdorë disa taktika dhe makinacione të reja për të përçarë dhe luftuar formacionet e diversantëve në malet e Mirditës. Duke zbatuar urdhrat e marra nga Tirana, Pal Mëlyshi me pseudonimin “Furtuna” krijon legjendën e arratisjes nga Sigurimi dhe infiltrohet si luftëtar në bandën e Preng Dodë Gjinit dhe Gjin Kros Bunës, dy nga më të spikaturat në malësinë Pukë-Mirditë.

Por, në kulmin e veprimtarisë së luftës kundër çetave antikomuniste, në datën 12 prill 1950, në afërsi të Rrëshenit, Pal Mëlyshi dhe pjesëtarët e bandës ku ai ishte i infiltruar vriten në një pritë të organizuar nga Forcat e Ndjekjes. Pas likuidimit të plotë të bandës, trupi i Mëlyshit zhvarroset fshehurazi me urdhër të Kadri Hazbiut dhe rivarroset në Tiranë me nderime. Imazhi përkatës tregon zv/ministrin e Brendshëm, Rexhep Kolli, së bashku me drejtorët e Sigurimit Sulo Bedini, Muho Kërxhaliu, Ibrahim Dervishi dhe Niqi Andoni, duke pozuar para arkivolit me trupin e pajetë të Palit.

Por shumë pikëpyetje do të karakterizonin vrasjen e 007 më të famshëm shqiptar të fundviteve ’40-të. Dy nga pjesëtarët e bandës “i shpëtuan” rrethimit dhe u arratisën, ndërsa shpallja “Hero i Heshtur” i Pal Mëlyshit nga Sigurimi i Shtetit do të ndodhte 6 vjet pasi ai ishte vrarë. Dëshmi të kohës tregojnë dy versione të vrasjes së Palit. Ish-punonjësit e MPB-së për Mirditën tregojnë se ai u eliminua në çastet e fundit nga vetë banda ku ishte infiltruar, pasi e kuptuan misionin final të tij. Por një tjetër version që tregohet nga pjesëtarët e rezistencës antikomuniste të arratisur në Perëndim rrëfejnë se Mëlyshi u ekzekutua nga kolegët e tij të Sigurimit për të zhdukur kështu çdo gjurmë të makinacioneve sekrete MPB-së në lidhje me familjen e Mëlyshajve.

2 – Radioloja “Liqeni i Vajkalit”. Lufta e nervave që kishte nisur ndërmjet forcave të Sigurimit të Shtetit dhe rezistencës antikomuniste në të gjithë Shqipërinë do të përfundonte natyrshëm me sukses në favor të komunistëve në të ashtuquajturën radioloja “Liqeni i Vajkalit”. Pas dështimit të plotë të operacionit të koduar ‘Valuable CIA’ dhe ‘MI6’, do të tentonin për herë të fundit të dërgonin nëpërmjet ajrit në Shqipëri bandën e diversantëve të Zenel Shehut (ish-zogist, kreu i rezistencës antikomuniste në malësinë Dibër-Mat) dhe Hamit Matjanit (eksponent i rezistencës në zonën Peqin-Elbasan).

Por, nëpërmjet dezertimit të famshëm të Kim Philby-t te KGB-ja sovjetike, të gjitha informacionet për zbarkimin e bandave të diversantëve në Shqipëri në vitet 1945-1955 do të binin në dorë të Sigurimit të Shtetit. Kësaj here anglo-amerikanët do të ishin të vendosur të luanin kartën e fundit të rezistencës ndaj regjimit të Enver Hoxhës. Ata vendosën të zbarkonin nëpërmjet avionëve të nisur nga bazat e Italisë, Zenel Shehun së bashku me disa të tjerë. Por, Shehu dhe të gjithë pjesëtarët e çetës u kapën në çast nga grupi operativo-hetimor i MPB-së, të cilët kishin qëndruar të fshehur në malet e Dibrës, duke pritur ardhjen e tyre.

Nëpërmjet presionit të ushtruar nga drejtorët e lartë të Sigurimit, Zenel Shehu dhe radisti i tij, Tahir Prençi (i cili më pas u vra gjatë një arratisjeje) do të njoftonin qendrën e tyre për zbarkimin me sukses dhe përgatitjen për dërgimin e pjesës tjetër të bandës së kryesuar nga Hamit Matjani. Nëpërmjet këtij kombinacioni që do të zgjaste për afro 1 vit, Sigurimi i Shtetit do të arrinte që të fuste në grackë edhe një ndër formacionet e fundit të asaj çka kishte mbetur nga rezistenca antikomuniste.

Në 1 maj 1953, ndërsa në Tiranë Enver Hoxha dhe Byroja Politike po ndiqnin parakalimin e punëtorëve në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, ministri i Brendshëm, Mehmet Shehu njofton Hoxhën për kapjen e Hamit Matjanit dhe pjesëtarëve të bandës së tij nga forcat e Sigurimit dhe përfundimin me sukses të radiolojës “Liqeni i Vajkalit”. Shehu, Matjani dhe të gjithë anëtarët e grupit të tyre do të përballeshin me një gjyq publik të organizuar me pompozitet të jashtëzakonshëm nga regjimi i kohës. Me përjashtim të një anëtari, të gjithë ata do të dënoheshin me vdekje. Fotoja përkatëse paraqet grupin operativo-hetimor të MPB-së të përbërë prej drejtuesve më të lartë të saj, duke pozuar në pyjet e Martaneshit pak para ardhjes së Hamit Matjanit dhe kapjes së tij.

3 – Nga e majta në të djathtë, Kadri Hazbiu, Hekuran Pobrati, Asim Aliko, Jorgo Sulioti dhe Mark Dodani.

4 – Eksperienca me KGB-në. Pas prishjes së marrëdhënieve me Jugosllavinë në 1948, vendin e këshilltarëve të OZNA-s do ta zinin shumë shpejt ata sovjetikë të KGB-së, një prej agjencive sekrete më të njohura në botë, rivale direkte e CIA-s amerikane gjatë Luftës së Ftohtë. Këtë herë varësia e Sigurimit të Shtetit ndaj homologes së saj, KGB-së do të ishte më e madhe në krahasim me periudhën e UDB-së në mesin e viteve ’40-të. Deri në vitin 1961, Lubyanka do të dërgonte plot 30 kryekëshilltarë dhe ekspertë të saj pranë Ministrisë së Punëve të Brendshme.

Rangu i tyre do të ishte mbresëlënës. Ai do të varionte që nga kryekëshilltari i cili mbante lidhje direkte me ministrin e Brendshëm, Kadri Hazbiu dhe kryeministrin Mehmet Shehu dhe deri tek ekspertët e stërvitjes të Brigadës së Qenve të kufirit dhe patrullave të policisë. Ata do të vendoseshin në çdo ambient dhe zyrë të MPB-së, përfshi këtu edhe ambasadën sovjetike në ‘Rrugën e Durrësit’, e cila do të shërbente si rezidencë kryesore e KGB-së në rajonin e Ballkanit. Të shumta do të ishin edhe konferencat dhe seminaret e përbashkëta ruso-shqiptare për shkëmbimin e eksperiencës operacionale dhe zhvillimin e teknologjisë moderne të spiunazhit, ashtu siç shihet edhe në foton përkatëse.

Imazhi në fjalë i vitit 1957 tregon zv/ministrin e Brendshëm, Mihallaq Ziçishti, duke mbajtur një fjalim para drejtorëve të lartë të MPB-së dhe këshilltarëve sovjetikë, Anatoli Petuhov dhe Sergei Stamsov. Por ndryshe nga ekspertët e mëparshëm jugosllavë, sovjetikët do të dëboheshin nga Shqipëria në vitin 1961, duke u akuzuar nga vetë Sigurimi i Shtetit për një nga kombinacionet më të dyshimta të inteligjencës së tyre në drejtim të shtetit shqiptar, “Grupin Çam” të kryesuar nga Teme Sejko.

5 – Komploti i “Grupit Çam”. Ndërprerja e marrëdhënieve me Bashkimin Sovjetik do të çonte menjëherë në problemin e madh të zotërimit të territorit të bazës ushtarako-detare më të rëndësishme për Mesdheun Lindor, asaj të Pashalimanit në jug të Vlorës. Por në këtë kohë Sigurimi i Shtetit sinjalizohet për një rrjet sekret agjenturor, i cili në bashkëpunim me SIMI-n italian, UDB-në jugosllave, EYP-in grek dhe Flotën e 6 amerikane të Mesdheut, sipas Drejtorisë së Kundërzbulimit të MPB-së, po planifikonte të sulmonte ushtarakisht shtetin shqiptar duke shfrytëzuar gjendjen e tensionuar me sovjetikët.

Ky rrjet do të etiketohej si “Grupi Çam”, për shkak të origjinës së një pjese të anëtarëve të tij. Sipas dëshmive dhe dokumenteve të kohës, Shërbimi sekret shqiptar do të binte në gjurmët e kundër-admiralit të Flotës Ushtarako-Detare shqiptare, Teme Sejko (po me origjinë nga Çamëria) si dhe të vëllait të tij, Taho Sejko. Gjithashtu, nën grackën e Sigurimit do të binin dhe disa barinj vllehë, të cilët do të akuzoheshin si bashkëpunëtorë në këtë grup për shkak se kishin sinjalizuar shërbimet sekrete fqinje gjatë verimit të bagëtive të tyre në Qafë-Botë të Konispolit.

Kaq do të mjaftonte që me dhjetëra “Gaz 69” të MPB-së të niseshin me vrull nga Tirana në drejtim të Sarandës dhe Konispolit për të kryer arrestimet. Teme Sejko do të arrestohej në zyrën e Beqir Ballukut, ndërsa 10 të tjerët, përfshi dhe vëllain e tij Tahon do të kapeshin në vende të ndryshme. Gjyqi i “Grupit Çam” ashtu siç shihet edhe në këtë foto, do të zhvillohej në ambientet e ish-kinema “Tomorrit” (sot godina e Partisë Socialiste) në maj të vitit 1961. Akuzat për komplotin e “Grupit Çam” do të ishin të rënda; që nga bashkëpunimi në arratisjen e Panajot Plakut në Jugosllavi dhe deri tek helmimi misterioz i gjeneral Hilmi Seitit në Shkodër në 1960.

Teme dhe Taho Sejko së bashku me dy të tjerë do të dënoheshin më vdekje, ndërsa pjesa tjetër me burgime të rënda. Por Teme Sejko nuk do të pushkatohej, ai do të torturohej për vdekje dhe mbytej nga drejtorët e lartë të MPB-së në bazën e Sigurimit, në fshatin Marikaj. Ndërsa Taho Sejko do të kryente vetëvrasje duke i rënë murit me kokë. Dëshmitë e mëvonshme tregojnë se kufoma e tij do të shërbente si kavie eksperimentale për studentët e Fakultetit të Mjekësisë. Por vetë komploti çam do të mbështillej për vite me radhë nga mjegulla e misterit për vetë natyrën sesi u zhvillua.

6 – Vizita në Shkollën e MPB-së. Dënimi i “Grupit Çam” në vitin 1961 nga organet e Sigurimit të Shtetit do të çonte padashur në “Piedestal” karakterin e kësaj organizate kriminale të regjimit komunist shqiptar. Aq e madhe do të ishte fama e Sigurimit në vitet ’60-të, saqë vetë Byroja Politike do të vizitonte për herë të parë dhe të fundit Shkollën e Lartë të MPB-së në Sauk (sot Akademia e Rendit). Imazhet e kohës tregojnë Enver Hoxhën, Rita Markon dhe Kadri Hazbiun të shoqëruar nga drejtorët dhe gjeneralët e lartë të Sigurimit të Shtetit, Policisë, Kufirit dhe Gardës.

Gjatë konferencës së mbajtur në ambientet e brendshme të Shkollës, ashtu siç tregohet edhe në foton përkatëse, Enver Hoxha dhe anash tij Kadri Hazbiu, Rita Marko, së bashku me Gjeneralët Zoi Themeli, Halim Xhelo, Muço Saliu, Teki Kolaneci, Mihallaq Ziçishti, Feti Smokthina etj., do të diskutonin mbi rritjen e rolit të institucioneve të MPB-së në çdo aspekt të jetës së përditshme të qytetarëve shqiptarë. Platforma politike e Sigurimit të Shtetit e vitit 1966 do të përcaktonte ndjeshëm rritjen e ndikimit të PPSH-së mbi kontrollin e aparatit represiv të Sigurimit dhe gjithashtu do të çonte vetvetiu në periudhën e ashpër të spastrimeve, që do të kulmonte me grupet armiqësore në vitet ’70-’80-të.

7 – Vizita e torturave. Në 6 shtator të vitit 1965, një delegacion i lartë i Ministrisë së Punëve të Brendshme i përbërë nga Kadri Hazbiu (ministër i Brendshëm), Rexhep Kolli (zv/ministër i Brendshëm), Xhule Çiraku (drejtori i Përgjithshëm i Policisë), Llambi Peçini (shef i sigurimit të udhëheqjes), Llazi Stratobërdha (zv/kryetari i Gjykatës së Lartë), Pilo Shanto (gjeneral i Kundërzbulimit) dhe Ndreko Rino (gjeneral i sektorit të Bandave) do të vizitonin Kinën për një periudhë 1-javore, të ftuar nga kryeministri kinez, Çu En Lai dhe ministri i Brendshëm i Kinës, Hsien Fu Xhi ashtu siç tregohet edhe në këtë foto. Qëllimi i vizitës do të ishte zhvillimi i mëtejshëm i marrëdhënieve dypalëshe sidomos në fushën e inteligjencës, si dhe në shkëmbimin e pajisjeve teknologjike.

Pak para ikjes së tyre, disa nga eksponentët e shërbimit sekret kinez filluan t’u tregonin homologëve shqiptarë disa nga teknikat e hetuesisë dhe torturave, të cilat i trashëgonin që nga periudha 3000-vjeçare e dinastive Qing dhe Ming. Por “kundërpërgjigja” e delegacionit shqiptar do të ishte një manual prej 25 lloje torturash, i përgatitur nga gjenerali Nevzat Haznedari (shefi i hetuesisë së MPB-së). Sipas dëshmive pikante të kohës, delegacioni kinez shtangu në vend dhe u tmerrua nga torturat e Sigurimit. Gjatë ikjes së delegacionit shqiptar, ministri i Brendshëm Hsien Fu Xhi mësohet t’i ketë thënë Hazbiut: “Do të vijmë ne tek ju për të marrë leksione torturash”.

8 – “Grupi i Gurëzit”. Fillimi i vitit 1970 do të inauguronte edhe nisjen e periudhës së terrorit mbi të klasifikuarat “Grupet Armiqësore”. Dhe përkatësisht në fundin e prillit të po këtij viti në fshatin e Gurëzit në rrethin e Kurbinit do të arrestoheshin 12 persona, midis tyre edhe prifti i famshëm katolik Dom Shtjefën Kurti, i cili pas ndalimit të fesë në vitin 1967 ishte detyruar të punonte si llogaritar në kooperativën e këtij fshati. Të akuzuar si sabotatorë të mallrave të kooperativës, të 12 të akuzuarit do t’i nënshtroheshin një hetuesie të gjatë intensive në Degën e Brendshme të Krujës, ku nën ndikimin e torturave do të detyroheshin t’i pranonin të gjitha akuzat e paqena. Gjyqi i tyre do të zhvillohej gjatë muajve të verës të vitit 1971 pikërisht në ambientet e Kishës së Gurëzit (asokohe e kthyer në një magazinë kooperative).

Por ndryshe nga të pandehurit e tjerë, vetëm Dom Shtjefën Kurti do të dënohej me vdekje. Akuza ndaj tij ishte se “kishte manipuluar punën në kooperativë dhe kishte bërë propagandë për të sabotuar prodhimin”. Por kjo ishte një gënjeshtër e madhe. Dom Shtjefën Kurti do të ekzekutohej sepse ai ishte një ndër të paktët eksponentë të lartë të Kishës Katolike Shqiptare që nuk ishte dënuar dhe se gjatë një mbrëmjeje, fshehurazi kishte pagëzuar një fëmijë duke thyer kështu rregullat e çmendura të ligjeve të kohës. Kurti do të pushkatohej në 20 tetor të vitit 1971 në një vend të panjohur, ashtu siç është aktualisht i panjohur vendi i varrosjes së tij. Kjo ngjarje do të mbetej sekret deri në 1973, kur një murgeshë do të arratisej në Jugosllavi dhe më pas në Austri ku do të bënte publike edhe ngjarjen e tmerrshme. Menjëherë Vatikani dhe bota perëndimore do të ndërmerrnin një varg kritikash të ashpra në drejtim të shtetit shqiptar në arenën diplomatike.

Në fund Tirana zyrtare pranoi ekzekutimin e tij. Fotoja përkatëse paraqet momentin e arrestimit të një prej pjesëtarëve të këtij grupi në vreshtat e Gurëzit nga forcat operativo-hetimore të rrethit të Krujës. Vrasja e Dom Shtjefën Kurtit do të ishte padyshim një nga rastet më unike në të gjithë botën komuniste të ekzekutimit të një kleriku vetëm se kishte pagëzuar fshehurazi një fëmijë.

9 – Revolta e Spaçit. 21 maji i vitit 1973 do të shënonte edhe shenjën e parë të revoltës së rezistencës antikomuniste shqiptare ndaj arbitraritetit të regjimit të Enver Hoxhës. Kampi i Spaçit (i ndodhur në një territor të izoluar në malet e Mirditës) ishte kthyer prej kohësh në simbolin e sistemit të riedukimit të Shqipërisë komuniste. Rreth 1000 të burgosur punonin në kushte tejet të rënda në minierën e bakrit dhe piritit të mbikëqyrur nga gardianët e repartit special të policisë ‘303’ të stacionuar pak metra para hyrjes së kampit. Kushtet tejet të rënda dhe shkeljet e shpeshta të të drejtave më minimale të njeriut, detyruan më dhjetëra të burgosur që të kundërshtonin me forcë rregullat e kampit si dhe të përlesheshin me rojet e armatosura.

Kjo gjendje alarmante detyroi zv/ministrin e Brendshëm, Feçor Shehun si dhe drejtorin e Përgjithshëm të Policisë Kasem Kaçin të shkonin në kamp dhe të negocionin për kërkesat e të burgosurve. Por kërkesat e tyre për liri dhe liberalizëm kurrsesi nuk mund të plotësoheshin nga MPB-ja dhe administrata e kampit. Kësaj here Batalionet Speciale të Policisë vendosën rrethimin e kampit dhe hynë me forcë në ambientet e brendshme të qelive, duke e shtypur me dhunë revoltën si dhe duke torturuar pa dallim të gjithë pjesëmarrësit e saj. Fotoja përkatëse paraqet zv/ministrin e Brendshëm, Feçor Shehu, duke i dorëzuar dekoratën nënës së njërit prej policëve që u plagos rëndë gjatë ditëve të revoltës. Shtypja e revoltës do t’i kushtonte humbjen e jetës Dervish Bejkos, Hajri Pashait, Pal Zefit dhe Skënder Dajës. Një revoltë e tillë e po këtyre përmasave do të përsëritej 11 vjet më vonë në kampin e Qafë-Barit në Pukë, por që fatkeqësisht do të shtypej me po aq egërsi sa e para. (vijon nesër)
(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb