Kombëtarja shqiptare e futbollit luan këtë të shtunë ndeshjen e parë të këtij edicioni në Ligën e Kombeve përballë Bjellorusisë. Kjo e fundit nuk është më përfaqësuesja me pretendime që ka qenë dikur dhe, pak nga pak, ka rrëshqitur larg skenave të rëndësishme.

Megjithatë, ekipi aktual, ndonëse pa yje, po shfaq një formë ndryshe nga e kaluara dhe ka dhënë sinjale pozitive. Drejtimin e ekipit që në janar e ka marrë një emër i njohur, siç është Viktor Gonçarenko, i cili kulmin e karrierës së tij e kishte kur drejtonte CSKA-në e Moskës. Asokohe, ai ia doli edhe të mposhte dy herë Real Madridin në fazën në grupe të Ligës së Kampioneve, duke treguar se është një emër me shumë perspektivë, por që nuk u largua kurrë nga futbolli lindor.

Gonçarenko tashmë ka në drejtim një ekip që nuk njeh humbje prej 6 ndeshjesh, me të fundit të regjistruar më 12 tetor 2025 ndaj Skocisë me shifrat 2-1. Danimarkë-Bjellorusi 2-2 dhe Bjellorusi-Greqi 0-0 ishin dy ndeshjet e fundit të kualifikuesve të Botërorit, ndërsa më pas erdhën katër miqësore me fitore ndaj Qipros, Armenisë e Sirisë, si dhe një barazim ndaj Burkina Fasos.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb