Drejtori ekzekutiv i Sberbank, Herman Gref, ka bërë një deklaratë të rrallë publike duke shprehur që lufta të përfundojë sa më shpejt, në një kohë kur debati mbi kostot ekonomike të konfliktit po intensifikohet në Rusi.

“Nuk mendoj se ka një person të vetëm në vend që të mos dëshirojë që veprimet ushtarake të përfundojnë sa më shpejt të jetë e mundur”, u shpreh Gref.

Komentet e kreut të bankës më të madhe shtetërore ruse vijnë në mes të diskutimeve në rritje për mënyrën e financimit të luftës. Sipas mediave, disa figura politike, mes tyre lideri i Partisë Komuniste, Genadi Zyuganov, dhe propagandisti Vladimir Solovyov, kanë propozuar masa të jashtëzakonshme financiare, përfshirë konfiskimin e fondeve të bankave, duke argumentuar se sektori bankar ka përfituar ndjeshëm gjatë kësaj periudhe.

Deklarata e Gref është konsideruar si një sinjal i pazakontë, pasi vjen nga një prej figurave më të rëndësishme të sistemit financiar rus dhe një person i lidhur ngushtë me strukturat ekonomike të pushtetit.

Sberbank, institucioni më i madh bankar në Rusi, ka një rol kyç në ekonominë e vendit. Për këtë arsye, qëndrimi i Herman Gref ka tërhequr vëmendje të veçantë, pasi ai tradicionalisht ka shmangur komentet publike mbi çështjet politike dhe ushtarake.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: