Ishte parashikuar prej kohësh, tani është zyrtare: Rudi Fëler do të vazhdoj të mbaj postin e drejtorit sportiv të Federatës Gjermane të Futbollit (DFB) dhe do të jetë pjesë e fillimit të ri të kombëtares me shumë gjasa nën drejtimin e Jurgen Klop.
Pas dorëheqjes së trajnerit të kombëtares, Julian Nagelsman, pas eliminimit turpërues të Gjermanisë nga Paraguai, një nga pikëpyetjet më të mëdha ishte e ardhmja e Rudi Fëlerit. Fillimisht kishte pasiguri edhe për pozicionin e ish trajnerit të kombëtares gjermane.
Fëler bëri një analizë kritike të situatës dhe të martën, gjatë një takimi të vogël me media të përzgjedhura, deklaroi: “Do të vazhdoj.” Kontrata e tij është e vlefshme deri pas Kampionatit Evropian 2028, e njëjta periudhë për të cilën ishte i lidhur edhe Nagelsman. “Ajo që ka rëndësi është suksesi sportiv dhe unë duhet të mbaj përgjegjësi për këtë,” tha hapur Fëler. “Për mua pyetja ishte: A ka ende kuptim? A jam ende i dëshiruar?” Falë shumë telefonatave, mes tyre edhe me drejtorin ekzekutiv të Red Bullit, Oliver Mintzlaf, Fëler gjeti përgjigje pozitive. Edhe Jurgen Klop, kandidati kryesor i DFB për të pasuar Nagelsmanin, ishte mes atyre që mbështetën vazhdimin e Fëlerit në detyrë. Gjatë një bisede telefonike të shtunën, Klop i bëri të qartë 66 vjeçarit se dëshironte ta shihte ende në këtë rol.
Largimi i Nagelsmanit, me të cilin Fëler kishte një marrëdhënie të ngushtë dhe, siç e pranoi vetë, “miqësore”, ishte një goditje e rëndë për drejtorin sportiv. Gjatë Kupës së Botës, ai e mbrojti vazhdimisht trajnerin, i cili po përballej me kritika gjithnjë e më të mëdha, duke u sjell thuajse si një truprojë. Megjithatë, tani Fëler po e orienton vëmendjen drejt së ardhmes. Kampioni i botës i vitit 1990, i cili ishte edhe trajner i kombëtares nga viti 2000 deri në vitin 2004, mori detyrën e drejtorit sportiv në fillim të vitit 2023.
Pas sukseseve të para së bashku me Nagelsmanin, ai e zgjati para kohe kontratën deri në verën e vitit 2028. Në fund të shtatorit 2025, Fëler kishte deklaruar se do të tërhiqej nga futbolli pas përfundimit të kontratës. Megjithatë, ai nuk deshi të konfirmonte nëse do t’i përmbahej këtij plani. Në fund të fundit, siç tha vetë, edhe më parë kishte menduar disa herë të largohej, “por gjithmonë jam bindur të vazhdoj”.
