Në revistën prestigjoze gjermane, Die Welt në muajin qershor është publikuar një speciale për Shqipërinë, me intervista nga përfaqësues të qeverisë dhe sektori privat, analiza dhe një vështrim i përgjithshëm mbi zhvillimin e vendit.

Kjo speciale zbulon potencialet e pashfrytëzuara të Shqipërisë në turizëm, energjitikë dhe agriturizëm si mundësi unike për tregun europian.

Pjesë e këtij publikimi ishte një intervistë e drejtorit ekzekutiv të Spitalit Amerikan, z. Klodian Allajbeu, i cili foli për potencialin e turizmit shëndetësor në Shqipëri dhe për përfitimet që kjo industri mund të sjellë për vendin në vitet në vijim.

 Spitali Amerikan i Shqipërisë u themelua në dhjetor 2006 si spitali i parë privat në Shqipëri. Spitali filloi aktivitetin e tij duke iu shërbyer pacientëve me probleme kardiake brenda dhe jashtë Shqipërisë dhe përqindja e pacientëve që largoheshin nga Shqipëria për të marrë trajtim jashtë vendit ra për 85 për qind vetëm në vitin e parë. Që atëherë, spitali ka zgjeruar fokusin dhe specialitetet e veta dhe ka zgjeruar praninë e tij si në Shqipëri ashtu edhe në Kosovë. Synimi i tij i ardhshëm madhor është turizmi shëndetësor. Tashmë ekzistojnë disa procedura mjekësore që përfshijnë trajtime të suksesshme me IVF të cilat janë duke tërhequr njerëz nga e gjithë Evropa, por gjatë pesë viteve të ardhshme spitali synon të fokusohet më tej në rritjen e këtij sektori.

Publikimi

Interviste me Klodian Allajbeu Drejtor Ekzekutiv, Spitali Amerikan

Spitali Amerikan i Shqipërisë është rritur ndjeshëm gjatë 12 viteve të fundit. A mund të na bëni një rrugëtim nëpër historinë dhe zhvillimin e tij?

Spitali Amerikan u themelua në vitin 2006 nga nevoja për të ofruar më shumë shërbime se sa që ishin duke u ofruar në Shqipëri në atë kohë. Sistemi publik shqiptar i kujdesit shëndetësor nuk mund të plotësonte nevojat e qytetarëve shqiptarë dhe shumica e tyre po udhëtonin në vendet më të afërta për zgjidhje të mundshme për çështjet e tyre. Në atë kohë, ne gjithashtu kishim kufizimet me viza, të cilat edhe më tej e ngushtonin përzgjedhjen e mundshme të spitaleve. Shumica e pacientëve udhëtonin për në Turqi, për ku nuk nevojitej vizë, dhe kryesisht për çështjet e zemrës, që është trajtim shumë i ndjeshëm ndaj kohës. Sidoqoftë, qytetarët shqiptarë hasën vështirësi të mëdha atje, duke filluar nga gjuha deri të qenit shtetas i huaj dhe duke mos i kuptuar plotësisht procedurat dhe sjelljet, si dhe mungesa e përcjelljes së gjendjes pas operacionit.

Në fillim, fokusi ynë ishte në kardiologji dhe kirurgji kardiake për të plotësuar boshllëkun ekzistues dhe nevojën e menjëhershme për këtë shërbim mjekësor. Ne kishim mjekët ndërkombëtarë të kombinuar me vendorët dhe teknologjinë më të mirë të disponueshme në atë kohë. Në më pak se një vit pas inaugurimit, kishim suksesin tonë të parë të madh: ekipi ynë kreu për herë të parë një operacion miokardi dhe angiogram koronar për herë të parë në historinë e Shqipërisë. Që atëherë, kemi kryer më shumë se 9500 operacione të suksesshme në zemër të hapur. Shqiptarët nuk kanë nevojë të udhëtojnë më.

Ne kishim një histori tjetër suksesi në vitin tonë të parë – transplantimin e parë të veshkës të bërë ndonjëherë në Shqipëri. Tanimë, kemi bërë më shumë se 80 transplantime të suksesshme të veshkës dhe kemi tre qendra të dializës me 381 vende për shfrytëzim. Nëse mendoni se 15 vjet më parë, pacientët me insuficiencë renale ishin të paracaktuar të vdisnin ose të paktën të jetonin në një vend tjetër, Spitali Amerikan në bashkëpunim me institucionet shtetërore shqiptare ka bërë të mundur që këta pacientë të zgjasin jetëgjatësinë e tyre shumë më gjatë se pritjet e mëparshme.

Në vitin 2009 dhe 2010, ne u zgjeruam brenda vendit. Fieri dhe Durrësi, dy nga qytetet më të mëdha në Shqipëri, u zgjodhën për Qendrat Mjekësore Amerikane të Diagnostikimit. Në vitin 2011, ne inauguruam spitalin tonë të dytë në Tiranë, të fokusuar në gjinekologji dhe trajtime in vitro. Departamenti ynë IVF ka shkallën më të lartë të suksesit në rajon dhe tani ka pacientë nga e gjithë Evropa. Ne kemi arritur rekorde në këtë fushë, me pacienten më të vjetër italiane, e cila në moshën 62-vjeçare arriti të ketë një shtatzëni të suksesshme dhe u bë me foshnjë me ndihmën e ekipit shqiptar të IVF-së. Në vitin 2012 kemi vazhduar të zgjerohemi – duke hapur spitalin tonë në Prishtinë, Kosovë, pasi që shqiptarët atje po përballeshin me të njëjtat probleme të cilat Shqipëria i kishte pasur më parë. Në vitin 2013, ekipi ynë kreu transplantimin e parë të suksesshëm të mëlçisë në Shqipëri në një pacient 34-vjeçar. Më pas, në vitin 2017, ne kemi inauguruar spitalin tonë të tretë dhe më të madh në Tiranë – Spitali Amerikan 3, me një hapësirë prej 25000 m2 me më shumë se 100 dhoma private të pacientëve, me pesë salla operative dhe me një njësi shumë moderne të kujdesit intensiv.

Rrjeti Laboratorik Amerikan, ALNET, është pjesë e historisë sonë të suksesit. Si spital, ne e dimë rëndësinë e laboratorit dhe nevojën për të pasur analiza të sakta. Diagnoza e duhur është hapi i parë për zgjidhjet e duhura shëndetësore. Me gamën më të gjerë të analizave laboratorike mjekësore, rrjeti ynë laboratorik është i vetmi në Shqipëri i certifikuar nga ISO15189.

Një tjetër nga pikat tona të mburrjes është Qendra e Syrit, e vetmja në vend që mund të kryejë transplantimet e kornesë dhe të trajtojë çështje të kataraktit të syrit, retinën e dëmtuar, glaukomën dhe më shumë.

Sot, falë punës shumë intensive, Spitali Amerikan është institucioni më i fuqishëm privat shëndetësor në treg dhe përmbushë të gjitha nevojat e qytetarëve shqiptarë dhe të tjerëve.

1 (8)

“Sot, falë punës shumë intensive, Spitali Amerikan është institucioni më i fuqishëm privat shëndetësor në treg dhe përmbush të gjitha nevojat e qytetarëve shqiptarë dhe të tjerëve”

Si Drejtor Ekzekutiv i Spitalit Amerikan, përshkruani sfidat tuaja kryesore deri tani në këtë rol dhe prioritetet për vitin e ardhshëm.

Si Drejtor Ekzekutiv dhe Drejtor Menaxhues, unë jam marrë me shumë sfida. Në fillim, ne duhej të fitonim besimin e pacientëve tonë dhe besimin e institucioneve qeveritare. Ne gjithashtu duhej të ndërtonim një brend të fortë dhe të qëndrueshëm dhe të revolucionarizonim sistemin e kujdesit shëndetësor, gjë që u menaxhua me sukses falë punës së madhe të njerëzve tonë.

Prioritetet tona për vitet e ardhshme janë që të përmirësojmë shërbimet tona dhe të bëhemi më të mirë. Konkretisht, ne duam të marrim akreditimin nga Komisioni i Përbashkët Ndërkombëtar (JCI) dhe të bëhemi pikë referimi për sistemet e kujdesit shëndetësor në rajon.

Spitali Amerikan u financua nga Fondi i Ekuitetit i Evropës Juglindore II (SEEF II) dhe pranoi investime nga investitorë të huaj duke përfshirë Bankën Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim. Si ishte ky investim reciprokisht i dobishëm si për Shqipërinë ashtu edhe për investitorët?

Në Shqipëri, spitali ynë ishte pionier i sistemit të kujdesit shëndetësor privat dhe e modernizoi tërë industrinë. Ne kemi më shumë se 2700 punonjës të kujdesit shëndetësor profesional dhe tani jemi një nga punëdhënësit më të mëdhenj në vend. Ne kemi lehtësuar jetën e qytetarëve tonë dhe kemi sjellë në vend ekspertizën më të mirë ndërkombëtare, nga të cilët është trajnuar dhe ka mësuar stafi lokal. Ky investim me siguri është dëshmuar të jetë i dobishëm si për vendin tonë ashtu edhe për fondin.

Në vitin 2018, Spitali Amerikan bleu qendrat shqiptare të Hygeia Group, të bazuar në Greqi, për 1 milion euro plus detyrimet e spitalit. Cilat janë mendimet tuaja për rëndësinë e këtij veprimi?

Në vitin 2018, na është paraqitur mundësia për të blerë Spitalin Hygeia. Spitali Hygeia nuk po performonte mirë financiarisht dhe aksionarët donin të largoheshin. Kemi pasur histori suksesi sa i përket menaxhimit të spitalit dhe menduam se ishim të pajisur mirë për të menaxhuar këtë investim të madh. Pra, së bashku me bordin e kemi shfrytëzuar rastin dhe e kemi përdorur atë në favorin tonë. Spitali Hygeia, tani i quajtur Spitali Ndërkombëtar, është pjesë e Grupit të Spitalit Amerikan. Ky veprim forcon pozitën tonë në treg.

“Vizioni dhe strategjia jonë për Spitalin Amerikan për pesë vitet e ardhshme është të përqendrohemi në turizmin shëndetësor”

Udhëtimi dhe turizmi janë industri me vlerë 1.24 miliard dollarë në Shqipëri dhe po rriten me 6 për qind në vit. Pritet të bëhen industri me vlerë prej 2.1 miliardë dollarë deri në vitin 2028. Cilat janë mendimet tuaja mbi potencialin për zhvillimin e turizmit mjekësor si segment specifik?

Vizioni dhe strategjia jonë për Spitalin Amerikan për pesë vitet e ardhshme është të përqendrohemi në turizmin shëndetësor dhe mundësinë që ofron kjo industri. Spitali Amerikan është zgjeruar gjatë viteve të fundit dhe tani mund të mbulojmë jo vetëm nevojat e shqiptarëve që jetojnë në vendin tonë, por gjithashtu të ofrojmë shërbime për të gjithë rajonin. Jemi dëshmitarë të rritjes së vazhdueshme të klientëve evropianë që zgjedhin Shqipërinë dhe spitalet tona për trajtime specifike si IVF, kirurgji plastike, kujdes dentar dhe operacione të tjera ortopedike.

Pse një turist gjerman që viziton Shqipërinë që ka një çështje mjekësore mund të zgjedh këtë spital?

Një shtetas gjerman duhet të marrë parasysh dhe të zgjedhë Spitalin Amerikan për trajtimet e tij mjekësore sepse ne ofrojmë shërbimin më të mirë nga të gjitha institucionet shëndetësore private. Ne kemi mjekët më të mirë që përdorin teknologjinë më të fundit. Spitali Amerikan është në përputhje me standardet ndërkombëtare dhe asgjë nuk na dallon nga ndonjë spital tjetër në Evropë. Çdo pacient që është trajtuar në Spitalin Amerikan do të zgjedhte përsëri këtë institucion. Ne kemi një nivel të lartë kënaqësie si me pacientët tonë lokalë ashtu edhe me ata që vijnë nga jashtë.

Në vitin 2017, Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë e Tiranës i dha spitalit një çmim për udhëheqjen e vendit në aspektin e cilësisë, teknologjisë dhe profesionalizmit. Çfarë mendoni se qëndron pas suksesit tuaj?

Pas historisë sonë të suksesit janë njerëzit tonë. Mjekët tonë, infermierët tonë, stafi ynë dhe kushdo që i është përkushtuar përsosjes dhe ofrimit të shërbimit më të mirë të mundshëm. Një tjetër çelës për suksesin tonë ishte se investimi u bë në kohën e duhur dhe me burimet e duhura në mënyrë që tani ne mund të ofrojmë zgjidhje lokale me teknologjinë më të fundit. Pas suksesit tonë është angazhimi që kemi bërë 12 vjet më parë për t’i ofruar pacientëve shqiptarë një sistem të kujdesit shëndetësor korrekt dhe profesional.

“Shërbimet tona të kujdesit shëndetësor janë në përputhje me standardet ndërkombëtare, por me shpenzime më të ulëta dhe më të pranueshme”

Spitali Amerikan përbëhet nga ekspertë vendas dhe të huaj. A ka mundësi për të rritur bashkëpunimin me mjekët gjermanë?

Kjo është e vërtetë, spitali ynë ka staf ndërkombëtar me mjekë grekë, italianë, turq, amerikanë dhe austriakë. Në fakt, ne gjithashtu kishim një kirurg gjerman për disa vjet. Ne gjithmonë kërkojmë mundësi për të zgjeruar rrjetin tonë të bashkëpunimit dhe për të sjellë ekspertë të rinj nga e gjithë bota. Mundësia për të bashkëpunuar me mjekët gjermanë ishte e vogël, por është diçka që po e hulumtojmë dhe eksplorojmë.

Cili do të ishte mesazhi juaj përfundimtar për audiencën tonë gjermane?

Synimi dhe strategjia jonë për Spitalin Amerikan për vitet e ardhshme është turizmi shëndetësor. Ne ftojmë audiencën gjermane që të vizitojë Shqipërinë për natyrën e saj të bukur, për malet dhe bregdetin e kaltër, për ushqimin tradicional, për mikpritjen, e cila është një nga pasuritë tona të mëdha dhe gjithashtu të konsiderojnë shërbimin tonë të kujdesit shëndetësor për trajtime specifike, të cilat janë sipas standardeve ndërkombëtare, por me shpenzime më të ulëta dhe më të pranueshme.

Për t’u informuar rreth projekteve të Klodian Allajbeu ju mund të regjistroheni në newsletter-in personal duke vizituar  http://bit.ly/tinyletter-1

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb