Kandidati për president i FSHF-së, Dritan Shakohoxha, ka vendosur të kallëzojë penalisht Sekretarin e Përgjithshëm të FSHF-së, Ilir Shulku, si dhe shefin e Departamentit Ligjor të kësaj organizate, Aldi Topcciun.

Kallëzimi penal është bërë për shkak se këta të fundit kanë firmosur që në kundërshtim me ligjin të vazhdojë organizimi dhe mbajtja e Asamblesë Zgjedhore të FSHF më datë 2 mars.

Shakohoxha i është drejtuar Prokurorisë së Tiranës dhe Policisë së Shtetit që të ndërhyjnë për zbatimin e vendimit të Gjykatës së Tiranës që ka vendosur pezullimin e Asamblesë Zgjedhore derisa të mbyllen çështjet gjyqësore që kanë lidhje me Shoqatat rajonale dhe zgjedhjet e kontestuara të tyre.

Akuzat ndaj tyre janë “pengimi për ekzekutimin e vendimit të gjykatës”, “veprime në kundërshtim me vendimin e gjykatës” si dhe “shpërdorim detyre”.

Shulku dhe Topçiu gjatë ditëve të fundit, pavarësisht vendimeve të shumta të Gjykatës për ndërprerjen e procedurave të zhvillimit të Asamblesë Zgjedhore me datë 2 mars, kanë vijuar normalisht në përbuzje të plotë të ligjit të përgatitin dhe të lajmërojnë anëtarët për listat e delegatëve që kanë dalë nga zgjedhjet e kontestuara si tërësisht të manipuluara në Shoqatat Rajonale.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb