Këngëtarja shqiptare me famë botërore, Dua Lipa, në 7 gusht do të shkojë në Kosovë, ku dy ditë më pas do të mbajë koncert bamirësie në Parkun e Gërmisë në komunën e Prishtinës.

Të gjitha të ardhurat materiale nga ky koncert do të shkojnë për bamirësi për fondacionin SunnyHill.

Kryetari i komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti tha se është i kënaqur që Prishtina është ombrellë e koncerteve kulturore. Ai shtoi se ky koncert është vetëm një fillim, pasi në të ardhmen do të sjellin në Kosovë sa më shumë këngëtarë të njohur për qytetarët.

Dua Lipa ka lindur në Londër në vitin 1995. Familja e saj emigroi në Angli në fillim të viteve ’90, për shkak të dhunës dhe represionit që pushtoi vendin e tyre. Kur ishte 11 vjeç, Dua transferohet në Prishtinë, deri në moshën 15-vjeçare, kur vendos të rikthehet në Londër për të ndjekur pasionin e saj për muzikën.

Si gjithë adoleshentët në perëndim, ajo punoi fort për të përballuar shpenzimet personale. Për shkak të punës si mikpritëse në dyert e klubebve të natës, Dua Lipa u frymëzua nga ajo çka shihte, për ta hedhur në tekstet e këngëve të saj. “Dramat, ana e errët e jetës së natës, u bënë temat për të cilat doja të shprehesha”, thotë 19-vjeçarja.

Frymëzimi më i madh i këngëtares së re ishte babai i saj, Dukagjini, i njohur në Kosovë me bandën e tij të muzikës rock, ODA. Dua Lipa punoi për këngën e saj të parë “New Love” me Andrew Wyatt dhe Emile Hayne, producentë që kanë bashkëpunuar edhe me Lana Del Rey.

‘Single’i i dytë “Be the One” është një rrëfim i këngëtares për veten. “Për mua ‘Be The One’ ka të bëjë me vetëbesimin, këmbënguljen dhe luftën për atë çfarë do. Kjo është ajo çka unë dua të bëj në jetën time dhe mënyra se si dua të prezantohem”, është shprehur artistja e re në një intervistë për revistën e njohur NYLON.

“BBC”, rrjeti mediatik i famshëm e me influencë në publik, e ka vendosur këngëtaren e re në listën e atyre artistëve që i quan, “Sound of 2016. Zëri me ngjyrë të errët, i ngjashëm me legjendat e muzikës soul dhe jazz, i ka dhuruar adoleshentes me pamjen engjëllore, atributet e një ylli të vërtetë që pritet të shkëlqejë në botën muzikore. /KosovaPress/

(el.sp/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: