Nga konferenca zyrtare për shtyp e FIA-s, në prag të Çmimit të Madh të Azerbajxhanit, Sharl Lëklerk u dërgon një sinjal sfide Mercedesit, Red Bullit dhe MekLarenit. Piloti nga Monako vjen në Baku me katër “pole position” radhazi në këtë pistë urbane, të realizuara në periudhën 2022– 2024, por asnjëra prej tyre nuk është shndërruar në fitore në vijën e finishit. Lëklerk foli gjithashtu për duelet e afërta me shokun e tij të skuadrës, Luis Hamilton, ndërsa dha edhe vlerësimin e tij edhe për sezonin e madh që po zhvillon Kimi Antoneli.

“Nuk e di nëse mund të fitojmë këtu… Kualifikimi është aspekti më i vështirë për ne këtë sezon. Nëse arrijmë të jemi përpara në nisje, atëherë do të kemi edhe mundësi të mira në garë. Por fillimisht duhet të punojmë për ta përgatitur sa më mirë makinën, sepse SF-26 ka shumë variabla. Më pëlqen kjo pistë dhe më ka dhuruar shumë kënaqësi në kualifikime, por këtë vit do të jetë më e komplikuar. Pas pushimit veror, MekLaren ka bërë hapa të mëdhenj përpara, ndërsa Mercedesi ka qenë pikë referimi që nga fillimi i sezonit.

Ne kemi hasur disa vështirësi, por nuk mendoj se kjo lidhet me pistat, është çështje e makinës dhe tani na takon neve të bëjmë një punë më të mirë. Jemi në një luftë shumë të ngushtë me MekLarenin, ndërsa Mercedesi mbetet makina për t’u mposhtur”, deklaroi fillimisht Lëklerk.

PËRPLASJET ME HAMILTONIN

“Këtë vit, mes meje dhe Hamiltonit ka pasur disa duele paksa në kufi, por nuk besoj se nevojiten rregulla të shkruara. Mendoj se gjëja më e rëndësishme është t’i diskutojmë këto gjëra mes nesh, me qetësi, dhe këtë e kemi bërë gjithmonë. Jemi pilotë, jemi konkurrues dhe ambiciozë dhe është krejt e natyrshme që të jetë kështu. E rëndësishme është që në fund të mbizotërojë interesi i skuadrës dhe kjo nuk ka qenë kurrë në diskutim. Jam pjesë e Ferrarit që nga viti 2019 dhe e di se si funksionojnë gjërat. Kur flitet për Ferrarin, gjithçka zmadhohet dhe ekzagjerohet, duke çuar në mënyrë të pashmangshme në përfundime të gabuara. Nisja në Monza nuk do të përsëritet, por pikërisht atje këtë vit pati duele në kufijtë e lejueshëm edhe mes pilotëve të tjerë të së njëjtës skuadër. Megjithatë, u fol gjithmonë dhe vetëm për Ferrarin”.

ELOZHET PËR ANTONELIN

Piloti monegaks dha komentin e tij për sezonin e Antonelit: “Kimi po zhvillon një Botëror të jashtëzakonshëm, madje mbresëlënës, edhe në krahasimin me shokun e skuadrës, Xhorxh Rasëll, të cilin unë e konsideroj një pilot shumë të fortë. Megjithatë, nuk mund të them se jam i befasuar. Sigurisht, vitin e kaluar pati disa vështirësi, por më parë kishte bërë gjëra të mëdha në kategoritë e vogla. Dukej se kishte diçka të veçantë, që e dallonte nga të tjerët. Nuk e kam idenë se cili është sekreti i tij dhe nuk më takon mua ta them. Për më tepër, me të drejtë nuk kemi akses në të gjitha të dhënat që do të na nevojiteshin për ta kuptuar më mirë. Ajo që është e sigurt është se Kimi është në gjendje të realizojë xhiro jashtëzakonisht në limit, por mbi të gjitha arrin të jetë gjithmonë i shpejtë kur ka më shumë rëndësi”.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb