Edlir Tetova është optimist se Egnatia e tij do të vazhdoj ecurinë e rezultateve pozitive në kampionat. Në një intervistë për “Panorama Sport”, trajneri i rrogozhinasve komentoi ndeshjen e radhës, por edhe shortin që vendos Egnatian përballë Vllaznisë në turin gjysmëfinal të Kupës së Shqipërisë. Objektivat madhore kanë motivuar fuqishëm skuadrën për të kapur Europën për herë të parë në historinë e klubit. Tetova konfirmoi se krahas mungesës së Malotës dhe Kacbufit për shkak kartonësh edhe ganezi Agbpekpornu nuk e ka kaluar dëmtimin dhe kësisoj, trajneri do të bëjë disa lëvizje të detyruara në formacion.

Përballja me Kukësin pati një kohë më të gjatë përgatitjeje. Si është atmosfera në ekip në prag të këtij takimi?

Atmosfera është e mirë dhe çdo gjë ka shkuar normalisht. Kemi pasur kohën e duhur për ta përgatitur me kujdes sfidën ndaj Kukësit. Uroj të dalim me sukses dhe të kemi pse jo edhe pak fatin me vete. Objektivat e Egnatias, tani që sezonit po i vjen fundi, kanë motivuar fuqishëm skuadrën. Në transferta kemi ditur ta tregojmë më së miri vlerat tona si ekip dhe shpresoj që të vazhdojmë kështu.

Për shkak kartonësh do të mungojnë dy mbrojtës si Malota dhe Kacbufi. Keni ndonjë shqetësim tjetër përveç tyre?

Po, na u shtua edhe mungesa e Agbekpornut, i cili nuk është riaftësuar në kohë. Ndërsa një pikëpyetje kemi edhe për dy lojtarët që kanë qenë me Kombëtaret në këtë periudhë, si Paulauskas te Lituania dhe Emsis te Letonia. Ata kanë vetëm dy ditë stërvitje me grupin prej angazhimit që patën në ndeshjet kualifikuese. Sigurisht që do t’i shohim deri para ndeshjes dhe nëse janë të gatshëm, do t’i aktivizojmë.

Dy ditë më parë mësuat edhe kundërshtarin që do të keni përballë në gjysmëfinalen e Kupës, pikërisht Vllazninë. I kënaqur me këtë short?

Vllaznia është fituese në fuqi e Kupës në dy edicionet e fundit dhe kuptohet që ndaj shkodranëve do të jetë një përballje shumë e fortë. Ne do t’i luajmë të gjitha shanset dhe do të japim maksimumin për të qenë në finale.

Në takimet e fundit një formë të mirë kanë shfaqur sulmuesit. Sa garanci jep për ekipin kjo performancë pozitive e tyre?

Po punojnë në grup dhe kjo i bën sulmuesit tanë të ndihen shumë mirë, duke qenë se shpesh para portës. Duamena, me përvojën e tij të madhe, sikurse Paulauskas, që është po aq profesionist, kanë shërbyer si model i mirë edhe për Redi Kasën. Ky i fundit ka rritur mjaft nivelin e tij ndeshje pas ndeshjeje.

Kukësin e keni mundur në fazën e parë në Kukës, sot besoni se do ta përsërisni suksesin?

Udhëtojmë drejt Kukësit të bindur për një rezultat pozitiv./Panoramasport

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb