Juventus nuk shkoi përtej barazimit 1-1 ndaj Genoa, duke humbur shansin për të ushtruar presion ndaj Interit, për të kaluar në krye të renditjes. “Nuk është e lehtë të luash kundër Genoa, – komentoi Allegri në fund të ndeshjes, – por ne duhet të rritemi në konkretizim, sepse vetëm kështu mund të qëndrojmë në krye të klasifikimit.

Duhet ta mbyllësh ndeshjen me më shumë se një gol, sepse në futboll mund të ndodhë gjithmonë një episod kundër. Duhej më shumë qartësi, por është një pikë e rëndësishme, që vazhdon serinë pozitive. Performanca më bëri të lumtur”.

Për episodet e arbitrimit të ndeshjes, Allegri nuk deshi të komentojë: “Massa dhe ekipi i arbitrave kanë punuar mirë. Çdo javë ka episode të ngjashme që vlerësohen ndryshe jo nga arbitri, por nga VAR-i. Do të ishte e nevojshme për një linjë orientimi më të barabartë për të gjithë, ndryshe hyjmë në subjektivitet edhe me ndihmën e teknologjisë. I vetmi ndryshim është se vendimi zhvendoset nga fusha te pamjet video. Normal që nuk ka uniformitet, sepse janë qasje subjektive. Këtë e kam përsëritur prej disa vitesh”.

Mungesa e Rabiot në mesin e fushës e penalizoi Juventusin: “Miretti, si të tjerët, luajti një lojë të mirë, por të gjithë duhet të ishim më mendjemprehtë. Pas epërsisë mund ta dyfishonim rezultatin, edhe pas barazimit 1-1 mund të kishim dyfishuar me Chiesa. Mbetemi të qetë dhe vazhdojmë të punojmë”.

Chiesa ekzekutoi penalltinë: “Ata zgjodhën gjithçka në fushë, Vlahovic ia dha topin shokut të skuadrës, sepse e pa se nuk ishte i qetë. Sidoqoftë, Dusan bëri një lojë të mirë dhe duhet të qëndrojë i qetë.”

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb