Kombëtarja shqiptare po bëhet gati për dy finalet që vendosin fatin për në Europian. Mbrojtësi kuqezi, Elseid Hysaj u shpreh se Moldavia nuk duhet nënvlerësuar dhe se gjithashtu beson te kualifikimi në ndeshjen e radhës.

Mentaliteti i skuadrës? 1 pikë apo më shumë? – Normal që janë dy finale, por duhet të mendojmë për Moldavinë. Është një skuadër shumë e fortë për momentin. Ne duhet të shkojmë atje për të mos humbur, sepse edhe një pikë mund të na nevojitet dhe jemi të kualifikuar, por do ishte bukur të fitonim dhe të arrinim rekordin e pikëve për Kombëtaren.

A ngjason me Armeninë? – Si ndeshje duket më e thjeshtë, por të themi të drejtën është një ndeshje me peshë. Po humbëm do jetë një presion më shumë për ne. Të gjithë ne jemi me një mendim për të shkuar të përgatitur dhe të fitojmë këtë ndeshjen.

Kritikat… – Kritika mund të kem sepse gjithë jetën kështu kam dëgjuar. Rëndësi kanë rezultatet dhe ku jemi. Kemi mundësi të shkojmë në Europian. Kritikat do të jenë aty gjithmonë.

Shumë pranë kualifikimit. – Është një ndjesi e bukur. Kujtojmë ato momente të 2016, nuk mund t’i harrosh. Shpresoj t’i shijojnë të rinjtë, por dhe ne bashkë me atë. Të shkojmë atje me vëmendjen e duhur dhe të vijmë me fitore në Shqipëri.

Më të motivuar apo më shumë presion? – Ne duhet të jemi të rritur në mentalitet, sepse nuk duhet ta shohim si presion. E dimë që do të jetë e vështirë, por ne punojmë për këto ndeshje dhe duhet të jemi gati.

Skuadra më mirë në mbrojtje se në 2016. Mbrojtja më e mirë për Kombëtaren? – Ne e kemi pasur mbrojtjen e fortë dhe në Europianin e kaluar. Por nëse statistikat thonë që kjo është mbrojtja më e mirë dhe unë besoj të njëjtën gjë.

Çfarë vlerësoni më tepër te Moldavia? – Nuk ka pësuar asnjë humbje në shtëpi. Kundërsulmojnë dhe ne po përgatitemi për një ndeshje të tillë. Duhet t’i gjejmë vetëm mundësitë tona për kundërsulmet e tyre.

Një notë për kualifikueset? – Mbas ndeshjes me Moldavinë ose Ishujve Faroe. Do presim dhe pak më pas do ju jap notën.

PANORAMASPORT.AL

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb