KORÇË – Kreu i PBDNJ-së, Nënkryetari i Kuvendit Vangjel Dule, ka folur sot nga Korça për masat që ka marrë Qeveria ndaj përmbytjeve në jugperëndim të vendit. Ai tha se një qeveri nuk mund të testohet në tërësinë e saj në situata emergjencash.

“Në situata të tilla emergjencash nuk testohet një qeveri apo një politikë e hartuar apo e implementuar në një 4-vjeçar, – tha Dule. – Aty demostrohen reflekset e një shteti, sesa është i organizuar dhe sesa ia ka rezervuar vetes, potencialin për të reaguar menjëherë për përballimin e emergjencës dhe eliminimin e pasojave. Natyrisht që duhet të jemi të gjithë të sinqertë se potenciale të tilla, shtetit tonë, nuk ia kemi garantuar. Kërkohen potenciale materiale, por edhe ekpertizë. E dimë se vitet e fundit, dekadat e fundit, fenomenet e natyrës janë shpesh të paparashikueshme dhe rrjedhimisht, mekanizmat duhet të jenë të orientuar drejt situatave edhe më të paparashikueshme. Rrjedhimisht ka shumë vend dhe ajo që mungon sërish në vendin tonë është se në raste situatash të tilla emergjente, katastrofash humanitare, bota politike unifikohet, në vendin tonë ajo polarizohet. Kjo përbën një dëshmi evidente të pamaturisë ekstreme, e cila karakterizon spektrin politik të vendit në përgjithësi dhe jo njerin apo tjetrin kamp.”

Gjithashtu, Dule foli edhe për shpërthimet me tritol dhe gjendjen e pazakontë, që po kalon Tirana ditët e fundit.

“Është një situatë që duhet të na shqetësojë, – tha ai, – se krimi na jep dëshmi në vazhdimësi se po organizohet dhe po sfidon strukturat dhe politikat qeveritare dhe shtetërore e duhet të ndërgjegjësohemi përfundimisht. E ritheksoj, si në rastin e emergjencave, edhe në rastin e akteve të tilla terroriste, prekin ministra apo qytetarë të thjeshtë, prekin strukturë shtetërore apo biznese private, duhet të na gjejnë të gjithëve të bashkuar në një front kundër saj. Shembujt e Evropës dhe botës së civilizuar janë të panumërt. Në vendin tonë, në vend që të unifikojmë zërin, ne drejtojmë gishtin dhe jo kundër krimit dhe terrorizmit, por kundër njeri-tjetrit.”

Dule ishte i pranishëm në Korçë me rastin e bashkimit në një të vetme të dy organizatave OMONIA, që kanë vepruar deri më sot në juglindje.

(ar.sh/News24/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb