Deputetja e Partisë Demokratike, Grida Duma në një dalje për mediat ka folur për përgjysmimin e projekt-buxhetit të 2019-ës. Duma tha se Shqipëria po varfërohet gjithnjë e më shumë në një kohë që të aftet dhe të rinjtë kanë zgjedhur të largohen nga vendi.

“Buxheti i Rilindjes nga viti në vit ka vetëm një synim, godet profesionistët me taksim gjobitës në paga, godet më të varfrit në ndihmën ekonomike dhe në pagën minimale mohon borxhin historik të të përndjekurve politikë dhe favorizon një pakicë që nuk janë më të fortët, por shërbyesit e pushtetit.
Varfëria në Shqipëri nuk është më varfëri ekonomike, është plakje popullsie dhe shkretëtim i kapitalit human dhe burimor”, deklaroi Duma.

Sipas saj, me këtë buxhet rilindas që, vit pas viti e shet Shqipërinë në koncensione për tre dekadat e ardhshme, arratia e të aftëve, e profesionistëve, e krahut më vital të punës është varrosja e mirëqenies dhe zhvillimit.

“Buxheti i Rilindjes godet më të pamundurit në Shqipëri, ata që jetojnë pa asnjë të ardhur dhe që nuk u është dhënë asnjë mundësi për të punuar. Vetëm në dy vite familjet në mjerim janë shtuar me 50 mijë.
Jemi në vitin e dytë të të ashtuquajturës ‘Reformë e Ndihmës Ekonomike’ dhe mbahen të fshehura pikët e përcaktimit dhe përllogaritjes së varfërisë.
Nga 103 mijë para 5 vitesh, sot përftojnë afërsisht 80 mijë dhe pjesa tjetër mbahet varur çdo muaj nën presionin dhe iluzionin se do t’i mëshirojnë ose do t’i përdorin si peng vote”, u shpreh deputetja e PD.

Ajo tha se jemi në vitin e gjashtë të buxhetimit rilindas dhe duket sikur shqiptarët s’kanë qënë të gjallë, por të vdekur në shifra, se çdo vit e njëjta shifër fikse për varfërinë.

“6 vite rradhazi po e njëjta shifër asnjë rritje dhe asnjë zbritje. Sipas rilindjes në 6 vite asnjë nuk u bë as më pak i varfër, as më më shumë i varfër.
Kur këto familje abandonohen, siç po ndodh, janë po xhepat shqiptarëve që do ta paguajnë me shtrenjtë e shumëfish braktisjen e tyre. Ky nuk është kursim, por shpenzim edhe më i madh. Sepse varfëria deri në mbijetesë do të prodhojë krimin dhe krimi mbajtjen e burgjeve e gjykatave e kostove të ndëshkimit. Varfëria e 50 mijë familjeve të braktisura do të kushtojë jo vetëm jetët e tyre, por edhe shumëfish nga taksat e shqiptarëve”, theksoi Duma.

Duke u ndalur në një tjetër problematikë, deputetja e PD deklaroi se paga minimale parashikohet të rritet me 10 mijë lekë, në një kohë kur shtrenjtimi i jetës kërkon një rritje minimale me 40 mijë lekë në muaj për të përballuar rritjen e çmimeve.
“Ashtu si është paraqitur nga Konfederata e Sindikatave, rritja e pagës minimale duhet të ishte 280 mijë lekë në muaj, nga 240 mijë që është aktualisht”, tha ajo.

Edhe për pensionet Duma solli një pamje të zymtë.
“Në buxhetin 2019 deklarohet se pensionet do të indeksohen sipas inflacionit, pra maksimumi rritja vjetore do të jetë 2%. Gjatë këtyre pesë viteve, pensionet janë indeksuar si breshka me nga 2 %, ndërsa çmimet dhe faturat e pensionistëve janë rritur deri në 42%.
Një pensionist që sot paguan bukën 10% më shtrenjtë, ushqimet bazike deri në 35 % më shtrenjtë, ujin 40% më shtrenjtë, energjinë 23% më shtrenjtë dhe i është shtuar edhe taksa e pronës, e për ironi në disa Bashki paguan edhe taksë arsimi, me 2 përqind të indeksimit të pensionit, nuk mund të përballojë rritjen mbi 42% të shpenzimeve të jetesës.
Pensionistët duhet ta dinë se as këtë indeksim minimal nuk do ta marrin që nga 1 janari, por vetëm dy muaj para zgjedhjeve”, deklaroi Duma.

Sipas saj, Shqipëria renditet e fundit në rajon sa i përket vlerës mesatare të pensionit ( rreth 98 euro), në një kohë kur Maqedonia e ka rreth 191 euro dhe Bosnja rreth 179 euro.

Në deklaratën e PD nuk munguan as të përndjekurit politikë.
“Përgjatë një viti beteja e përfaqësuesve të të përndjekurve politikë u përcoll me premtime nga qeveria se ‘askush nuk do të mbetej pa paguar, sidomos trashëgimtarët e parë’.
Buxheti i 2019 i përgjysmon fondet për shtresën e ish të përndjekurve politikë nga 20 milion dollarë në 10 milionë dollarë. Me këtë ritëm do të duhen 3 dekada për të shlyer faturën financiare ndaj kësaj shtrese të përvuajtur në histori”, tha ajo.

Por Duma kërkoi besim për alternativën e PD.
“Shqipëria po përballet me sfidën më të madhe të 30 viteve të fundit, shkretimin plakjen e popullsisë së vet nga shterimi i njerëzve më aktive më vitale për ekonominë e vendit. Kjo sepse rilindja ka vetëm një mision, të pasurojë një pakicë shërbyesish duke shteruar shumicën që e vjel.
Programi ynë që nis me taksimin e sheshtë, jep zgjidhje çlirimit të ekonomisë dhe uljes së informalitetit, i jep zgjidhje motivimit të profesionistëve dhe mosavantazhimit të pakicës në kurriz shumicës”, u shpreh Duma.

Sipas saj, masat që Partia Demokratike do të marrë për ndalimin e koncensioneve që e kanë shitur të ardhmen e vendit duke i kthyer ato në mbështetje të të pamundurve; ku cdo familje në nevojë do të marë ndihmë ekonomike dhe paga minimale do të pasqyrojë shtrenjtimin e jetës.

“Aplikimi i një vizioni ekonomik të thjeshtë e transparent duke ndalur koncensionimin e Shqipërisë duke e kaluar atë në investime për të ndërtuar shanset e barabarta për arsim dhe kujdes shëndetësor është zgjidhja e vetme e domosdoshme dhe e menjëhershme për të ndaluar shkretimin e Shqipërisë në mundësi dhe në njerëz”, deklaroi Duma.

BalkanWeb

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb