Kreu i SPAK, Altin Dumani raportoi këtë të enjte para anëtarëve të Këshillit të Lartë të Prokurorisë.

Kryeprokurori ngriti një sërë problematikash që kanë të bëjnë me mbarëvajtjen e hetimeve, por duke cekur edhe pengesat që i bëhen Prokurorisë nga ana e institucioneve shtetërore.

Dumani tha se ka rënie të referimeve për rastet e korrupsionit si në nivel qendror apo lokal dhe kjo vlerësohet si shumë shqetësuese për SPAK.

Ai tha se kjo strukturë hetimi antikorrupsion e vetme nuk mund të përballojë luftën kundër kësaj gangrene siç e quajti ai korrupsionin dhe i ftoi titullarët e autoriteteve shtetërore të referojnë rastet duke ofruar një bashkëpunim të ngushtë me ta.

“Përjashtuar Policinë e Shtetit, institucione të tjera që edhe ata pjesë të detyrave e kompetencave të tyre kanë dhe luftën kundër korrupsionit, qoftë të nivelit qëndror apo lokal nuk referojnë në SPAK veprat penale në natyrë korruptive apo vepra të tjera penale. Ky është shqetësim për SPAK. pasi SPAK i vetëm nuk mund të adresojë dhe përballojë luftën kundër korrupsionit apo vepra të tjera penale që kryhen nga subjekte që mbajnë një funksion shtetëror. Është e nevojshme dhe domosdoshme forcimi i bashkëpunimit dhe rritja e numrit të referimeve nga institucionet e tjera. Ne si strukturë, BKH apo SPAK jemi shumë të hapur e shumë bashkëpunues me të. Cilido institucion e ka konstatuar këtë. Në cështje të natyrës sensitive ne vëmë në dispozicion të gjithë mjetet teknike të rastit, por secili institucion duhet të bëjë detyrën e vet. Institucionet që kanë për detyrë edhe dhe luftën kundër korrupsionit duhet të jenë të vëmendshëm dhe të rrisin referimet për veprat penale si korrupsion, shkelje të barazisë në tendera“, tha Dumani.

Kreu i SPAK, gjatë raportimit në Këshillin e Lartë të Prokurorisë ka ngritur shqetësimin në lidhje me bashkëpunimin me Policinë e Shtetit. Dumani tha se mungesa e bashkëpunimit me Policinë vjen për shkak se rezultojnë policë dhe shefa policie të lidhur me krimin e organizuar.

“Në raste të caktuara, sidomos ato të krimit të organizuar, nuk bashkëpunojmë dot me policinë sepse na rezulton se ka policë të përfshirë dhe është në nivele te larta”, tha kreu i SPAK.

Altin Dumani kërkoi ndryshimin e ligjit për prokurorët e SPAK me qëllim që ata të kenë mundësi për rikandidim pas përfundimit të mandatit.

“Statusi aktualisht parashikon që prokurorët e SPAK pas përfundimit të mandatit 9 vjeçar të kthehen në prokurorinë ku kanë ushtruar më parë funskionin. Për shkak të ndryshimit të hartës një pjesë e këtyre prokurorive nuk ekzistojnë. Adnani nuk di ku të shkojë se është shkrirë prokuroria e krimeve të rënda. Është investuar aq shumë për ngritjen e tyre profesionale jo vetëm nga shteti por dhe ndërkombëtarët. Këta janë aset. Nuk kemi luksin ti çojmë në një vend tjetër. Nuk kemi aq burime njerëzore, e të kualifikuar dhe me integritet sa të plotësojmë boshllëqet e krijuara. Rivlerësim dhe dhënie mundësie për të kandiduar. Do të thotë unë si Altin Dumani do të vij të konkurroj. Nuk thashë të emërohet automatikisht” -tha Dumani.

Kreu i SPAK theksoi gjithashtu se ndaj zyrtarëve të nivelit të lartë për herë të parë janë regjistruar 8 procedime penale me 18 persona në hetim “me funksion, ish-ministër i Shëndetësisë, ish-gjyqtar Apeli, kryetar bashkie, ish-kryeministër, ish-ministër Finance, ish-ministër Mjedisi, ish-prokuror etj”.

LEXO EDHE:

Analiza e SPAK/ Dumani: Janë sekuestruar 41 mln euro pasuri. Në hetim ish-kryeministra e ish-kryebashkiakë

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb