Shefi i Organizimit në Partinë Demokratike, Klevis Balliu i ftuar në rubrikën ‘Opinion’ në ‘News24’ ka komentuar skandalet e publikuara nga News24, siç është dhe përgjimi ku një sekser i kërkon miliona lekë një çifti në Ksamil në emër të Dallëndyshe Bicit.

Balliu tha se kësaj qeverie nuk i bën përshtypje asnjë aferë e zbuluar, pasi kjo tregon fytyrën e vërtetë të shtetit shqiptar.

“Sapo e pashë skandalin sot. Ajo që të bën përshtypje, është se nuk i bën njeri përshtypje. kështu pohonte dhe vetë zyrtari dhe thoshte; kështu funksionon. Kjo tregon se në çfarë situatë janë shqiptarët. Balluku është ekspert i kësaj fushe, di ta ndërtojë këtë sistem. Dallëndyshe Bici dhe balluku. Këtë gjë e tregon dhe largimi i shqiptarëve. Sa e sa denoncime të tjera ka për të cilat qeveria nuk lëviz gishtin. C’të reagojë qeveria?!”, pohoi ai.

Balliu theksoi se doganierët e Doganës së Portit të Durrësit duhet të ishin tashmë në burg, ndërkohë që nuk ka asnjë reagim nga drejtësia.

“Edhe për atë skandal nuk pati reagim nga Dogana. I vetmi reagim ishte sulmi ndaj jush. Ku është drejtësia? Pse nuk i arreston?! Ata janë ende në punë. Kriteri i kësaj qeverie është vjedhja. Nëse nuk vjedh, këtu nuk promovohesh. Këta i bëjnë këto akte, vjedhin qytetarët shqiptarë në mënyrë sistematike, se drejtësia nuk i vjedh. Në bëjmë emisione, ndërkohë që këta vjedhin. Çdo ditë që këta njerëz hyjnë në zyrë, shqiptarët varfërohen më shumë. Doli rasti i Doganave, a keni parë njeri të arrestuar?! Nuk është çështjes skepticizmi, pasi është fakt që për çështjen e doganës nuk dënohet njeri apo për inceneratorët. Që kur është bërë reforma në drejtësi, 80% e çështjeve i fiton qeveria. Tani Dumani të bëjë detyrën, të shkojë të arrestojë Ballukun dhe Dallëndyshen. Kush merret me këta? News24 do e bëjë Policinë e Shtetit, prokurorinë? Këtu asnjë institucion nuk funksionon. Këta janë kokë e këmbë të mykur. Duan që të largojnë shqiptarët, që këtu të ngelet Balluku, Agaçi, dhe e gjithë kjo qeveri e korruptuar. Nëse ne presim që hajdutët të arrestojnë hajdutët, këtu ka mbaruar gjithçka. I ka ngelur shqiptarëve që të reagojnë.”, theksoi ai.

Mes të tjerash Balliu u ndal dhe te zgjedhja e kreut të ri të SPAK, Altin Dumani, ndërsa theksoi se kjo çështje u kthye në lobim mes Ramës dhe ambasadores së SHBA-ve, duke e krahasuar me ndeshjen Argjentinë-Francë.

“Të shohim se ça do bëjë. Aty ka qenë Dumani, nuk lindi dje. Koncepti i drejtësisë së vërtetë, është drejtësia e pavarur. Ne kishim në lobim ambasadoren e SHBA-ve dhe kryeministrin Rama. Dukej sikur po shihnim ndeshjen Argjentinë-Francë. E kuptuam se sa e pavarur ishte SPAK, se kush e kontrollon këtë institucion. Fusin në burg Alqi Bllakon dhe korrupsioni me inceneratorin vazhdon. Edi Rama është maja e aferës korruptove. Rama kërkon që të ekzekutojë fjalën e lirë, por atë do ta ekzekutojë vota. Duhet aksion në çdo cep të Shqipërisë.”, tha ai.
Duke u ndalur te situata brenda PD-së, Balliu foli për aksionin opozitar. “Po mbledhim forumet e PD. Nesër do mbledhim Këshillin Kombëtar të PD-së. Sulmi ndaj Berishës ka ndryshuar gjithçka. Sulmi ndaj Berishës është sulm ndaj opozitës, për atë që përfaqëson ai për opozitën. Dhuna ndaj tij ishte atentat ndaj çdo njeriu, segmenti opozitar. Ne nuk jemi niveli Vuçiçian që ka Rama. Besojmë te e drejta për protestë, nuk besojmë te aktet kriminel që përdor Rama. Opozita dhe PD do i japë përgjigje Ramës. Nuk mundet që këta banditë të vazhdojnë të hyjnë në zyrat e shqiptarëve. Protestat duhet të jenë në çdo ditë, në çdo formë. Nesër është mbledhja e Këshillit Kombëtar, ku do flitet për data dhe çështje konkrete. Rama ka alergji nga demokracia. PD është gati për protestë kombëtare dhe qytetarët po ashtu. Mesazhet në protesta i kanë dhënë, tashmë është koha që aksioni të vijojë më shumë.”, tha ai.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb