Kukësi-Tirana sot më shumë se kurrë po projektohet si një finale, një sfidë e cila pritet të vendos shumë mbi fatet e titullit kampion. Ndryshe nga opinioni sportiv, Shpëtim Duro nuk e sheh në këtë mënyrë, sigurisht që është një ndeshje e rëndësishme por jo përcaktuese:

Sa e vendos titullin kjo ndeshje?
“Normalisht, sa ka kaluar gjysma e kampionatit. Është një ndeshje e rëndësishme, do ndikojë shumë në aspektin moral, por për titullin nuk do të jetë deçizive. Do të jetë një luftë e fortë deri në fund, së bashku me Partizanin, që e theksova disa ditë më parë, që është pozitive që u fut edhe Partizani në garë treshe, të jetë kampionati më interesant”.

Duro vlerëson formën që po kalojnë bardheblutë por gjithashtu kërkon respekt për këtë që po jep Kukësi këtë sezon, një skuadër që luan të gjithë ndeshjet jashtë shtëpie:

Tirana dhe forma e mirë, çfarë i druheni?
“Respektoj Tiranën, normalisht. Është një skuadër që ka investuar më shumë në periudhën e verës, pavarësisht oshilacioneve, pritej që të vinte në këtë situatë. Nuk i druhem, por e respektoj, ashtu siç duhet të na respektojnë edhe ne”.

Trajneri i Kukësit nuk dëshiron të kthej kokën pas dhe të shoh statistikat, kjo është një ndeshje ndryshe:

Fitoret në dy fazat, do jetë e njëta histori?
“Nuk ka ndeshje të njëjta, po të ishte e njëjtë nuk do të kishim luajtur nesër. Çdo ndeshje ka historinë e vetë dhe pse ne kemi fituar ndeshjet me lojë e rezultat. Nuk ka favoritë kjo ndeshje për të qenë realist”.

Duro nuk e sheh si një minus faktin që ndeshja do të luhet në stadiumin e ri, fundja ky ishte një vendim i vetë drejtuesve të klubit:

Ndeshjet jashtë fushe?
“Kukësi është pritës dhe jemi mësuar. Nuk kemi atë prani tifozësh që mund të ketë Partizani apo Tirana, por këto ndeshjet me ambient na kanë bërë mirë. Të shohim nesër, stadiumin, fushën, ambientin, se çfarë do të ndodhë Unë e pëlqej koreografinë e Tiranës. Para 5 vitesh, kam qenë një ndër protagonistët kryesor, që kërkova të ishin në stadium, tifozët e Tiranës dhe Partizanit. Bëra mirë, pasi ata erdhën në stadium dhe fitoi Partizani. Mua më pëlqen ambienti. Edhe po të luanim në Elbasan, prapë Tirana do të kishte tifozë më shumë. Nuk e shoh diçka në disfavor. Rëndësi ka që të jetë një ndeshje e bukur spektakolare. Pastaj fusha është fushë dhe do të shohim verdiktin e saj”.
(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb