Në prag të duelit të tretë mes Vllaznisë dhe Egnatias në impiantin “Air Albania” për sezonin 2025-26 të “Final 4”, shifrat historike nuk janë shumë bujare me kuqeblutë e Shkodrës.
Dy takime të mëparshme kanë lënë një shije të hidhur për tifozët shkodranë, ndërsa Egnatia ka dalë gjithnjë fituese, duke shkruar edhe faqe të reja në historinë e futbollit shqiptar. Në sezonin 2023-24, rrogozhinasit falë një barazimi 0-0 eliminuan Vllazninë nga gjysmëfinalet e “Final 4” dhe më pas fituan titullin kampion për herë të parë në histori. Ky rezultat la pas një plagë të madhe për kuqeblutë, që kishin shpresuar të arrinin finalen, por përballë një skuadre të organizuar dhe të vendosur nuk mundën të realizonin objektivin.
Edhe sezonin e shkuar, 2024-25, historia u përsërit. Egnatia triumfoi sërish, këtë herë në finale me një fitore të thellë 4-0 ndaj Vllaznisë, duke konfirmuar dominimin e saj në ndeshjet direkte dhe duke bërë që shkodranët të ndiheshin gjithnjë në disavantazh në përballjet ndaj rrogozhinasve, sidomos në “Air Albania”.
Tashmë, skuadra e Vllaznisë dhe trajneri i saj shikojnë këtë duel të tretë si një mundësi për të thyer “tersin” e ndeshjeve në kryeqytet. Një rezultat pozitiv jo vetëm që do t’i jepte kuqeblutë një shpëtim moral, por do të mbante gjallë shpresat për titullin e sezonit aktual, duke rikthyer besimin tek tifozët dhe vetë skuadra.
Analistët e futbollit paralajmërojnë një ndeshje të fortë, me ritëm të lartë dhe rivalitet të ashpër në fushë. Vllaznia duket e vendosur të ndryshojë historinë dhe të tregojë se përvoja negative e dy sezonëve të fundit mund të shërbejë si mësim dhe motivim. Tifozët shkodranë presin me padurim këtë përballje, duke shpresuar se më në fund do të festojnë një fitore të madhe në “Air Albania” dhe një kthesë në rrugën drejt titullit.
