Në pjesën veriore të Mitrovicës pak më pak se një orë më parë ka ndodhur një incident në të cilin janë lënduar dy persona të nacionalitetit shqiptar, njëri prej të cilëve gazetar.

Nga Policia Rajonale e Mitrovicës Veriore kanë thënë për Gazetën Express se “ka pasur sulm fizik ndaj tyre”.

Siç raporton portali “Kossev”, njëri nga të lënduarit është transferuar në pjesën jugore të Mitrovicës për ndihmë mjekësore, ndërsa tjetri ndodhet në QKB Mitrovicë në pjesën veriore.

Portali online “Insajderi” raporton se një nga të lënduarit është kameramani i kësaj media, Jetmir Muji.

“Ai ka qenë duke e xhiruar rastin e një rrëmbimi të një të riu shqiptar në pjesën veriore të Kosovës”, thuhet në njoftimin e Insajderit.

Siç shkruan media, i riu me kombësi shqiptare është rrëmbyer nga disa serbë. Është futur në një veturë të tyre. Është rrahur dhe është lënë në rrugë në pjesën veriore të Kosovës.

Kameramani i Insajderit ka qenë duke e xhiruar këtë veprim të tyre. Sulmuesit e kanë goditur Mujin pas kokës.
Ai i është nënshtruar ndërhyrjes mjekësore në urgjencën e Mitrovicës së Jugut.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb