Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka përsëritur thirrjen se Milan Radoiçiq dhe anëtarët e tjerë të grupit të përfshirë në sulmin e armatosur të 24 shtatorit 2023 në Banjskë duhet të dorëzohen dhe të përballen me drejtësinë në Kosovë.
Gjatë fjalës së tij në akademinë përkujtimore të organizuar në nderim të rreshterit të Policisë së Kosovës, Heroit Afrim Bunjaku, Kurti akuzoi Beogradi zyrtar për mbrojtjen dhe strehimin e strukturave paramilitare.
“Tri vite nga sulmi i Banjskës, Milan Radoiçiq dhe pjesëtarët e tjerë të grupit terrorist paramilitar vazhdojnë të strehohen nga presidenti i Serbisë, teksa u ofrohet mbrojtje dhe shërbime. Ata duhet të përballen me drejtësinë në Kosovë dhe të gjykohen për sulmin me përmasa ushtarake të organizuar ndaj shtetit tonë dhe vrasjen e Afrim Bunjakut. Ne nuk do të ndalemi derisa të ketë drejtësi”, deklaroi Kurti.
Përfshirja e shtetit serb dhe furnizimi me armatim
Kreu i ekzekutivit kosovar e cilësoi Radoiçiqin si udhëheqësin direkt të sulmit, duke theksuar se grupi ka vepruar nën instruktimin e strukturuar të ushtrisë dhe shtetit serb.
“Sulmi paramilitar i 24 shtatorit në Banjskë tri vite më parë u bë nga një grup terroristësh të mbështetur, financuar, trajnuar dhe instruktuar nga shteti i Serbisë, udhëhequr nga Milan Radoiçiq”, nëvizoi ai.
Kurti shtoi më tej se armatimi i sekuestruar dhe uniformat taktike ushtarake të përdorura nga agresorët kishin origjinë direkte nga Ushtria dhe Forcat e Armatosura të Serbisë.
Gjatë sulmit të 24 shtatorit 2023 në Banjskë të Zveçanit, përveç rënies në detyrë të rreshterit Afrim Bunjaku, mbeti i plagosur edhe zyrtari policor Alban Rashiti. Milan Radoiçiq pranoi publikisht më vonë përgjegjësinë për organizimin dhe udhëheqjen e këtij aksioni armatosur.
