Prej muajsh Policia e Shtetit herë pas here sjell njoftime për shtyp dhe video gjatë kontrolleve rrugore me qëllim sensibilizimin e drejtuesve të mjeteve për të mos shkelur Kodin Rrugor. (Foto ilustruese)

Njoftohen masa administrative dhe penale që merren në raste shkeljesh. Por duket se ashpërsia e ligjit nuk funksionon njësoj për të gjithë drejtuesit e mjeteve.

Disa persona arrestohen në flagrancë për shkeljet e kryera e të tjerë thjesht procedohen në gjendje të lirë për të njëjtën vepër penale.

Vetëm pak ditë më parë në një njoftim për shtyp, Policia e Tiranës njoftoi arrestimin në flagrancë të dy personave që drejtonin automjetin pa leje drejtimi. Por, e njëjta gjë nuk ndodhi në Korçë kur një i ri u kap tek bulevardi “Republika” duke drejtuar mjetin tip “Smart” pa leje drejtimi. Ai nuk u arrestua në flagrancë, por materialet iu referuan Prokurorisë.

Ky drejtues mjeti nuk ishte një emër i panjohur për policinë. Bëhet fjalë për 25-vjeçarin Samuel Pengui. 4 vite më parë, më 30 korrik të vitit 2014 Samuel Pengiu ka qëlluar 3 herë në drejtim të një automjeti në lagjen 4 të qytetit. Fatmirësisht nga kjo ngjarje nuk pati të lënduar. Për këtë tentativë vrasje ai u arrestua rreth 6 muaj më vonë në aeroportin e Rinasit, pasi u deportua nga Danimarka.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb