Kryetarja e LSI-së Monika Kryemadhi nëpërmjet një statusi në rrjetin social ‘Facebook’ kujton tragjedinë e 26 nëntorit , ku para dy vitesh vendi u godit nga një tërmet i fortë që i mori jetën 51 qytetarëve.

Kryemadhi solidarizohet me familjet e viktimave, ndërsa shprehet se kjo ngjarje kumbon në zemrat e çdo shqiptari.

Gjithashtu thekson se në përvjetorin e 26 nëntorit si ditë e zisë kombëtare, pesha e madhe e përgjegjësisë rëndon mbi institucionet, mbi qeverinë shqiptare, për të marrë çdo masë që në të ardhmen të kemi sa më pak dëme në jetën, shëndetin dhe pronën e çdo qytetari.

Reagimi:

Dy vjet më parë, tërmeti i pasojave shkatërrimtarre, i mori jetën 51 shqiptarëve, plagosi qindra të tjerë dhe shkuli nga themelet vendin, me pasoja të tmerrshme për të gjithë shoqërinë. Ne i bashkohemi familjeve të viktimave, teksa përkujtojnë sot të dashurit e tyre.

Ende, kjo ngjarje kumbuese në zemrat e çdo shqiptari anë e mbanë botës, nuk ka qenë mësim i mjaftueshëm, që Shqipëria të ishte sot më e përgatitur ndaj katastrofave natyrore.

Në përvjetorin e 26 Nëntorit si ditë e zisë kombëtare, pesha e madhe e përgjegjësisë rëndon mbi institucionet, mbi qeverinë shqiptare, për të marrë çdo masë që në të ardhmen të kemi sa më pak dëme në jetën, shëndetin dhe pronën e çdo qytetari.

Do t’i jemi përherë mirënjohës partnerëve që i’u gjendën pranë popullit shqiptar në ato ditë të vështira, si dhe për gadishmërinë e treguar për ndihmë konkrete në procesin e rindërtimit pas tërmetit. Mirëpo, sfida të ngjashme mund të ketë edhe në të ardhmen e afërt. Ndaj, me ekonominë modeste që ka, Shqipëria duhet të mënjanojë shpenzimet për luks qeveritar dhe të prioritarizojë shtetin dhe qytetarin.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb