Nga: AURORA KOROMANI*

TIRANE – Deputeti Tom Doshi merret në mbrojtje nga policia. Lajmi është konfirmuar nga burime pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit, të cilat sqaruan ditën e djeshme për “Gazeta Shqiptare” se deputeti i Shkodrës është marrë në mbrojtje nga uniformat blu. Nuk jepen shumë detaje se sa është numri i efektivëve që janë vënë në dispozicion të ish-deputetit socialist, por ajo që dihet me siguri është fakti se përreth Doshit janë shtuar masat e sigurisë. Përveç rojeve private që deputeti Tom Doshi ka marrë vetë, duke nisur që nga pasditja e së premtes, rreth tij janë shtuar edhe efektivët e Policisë së Shtetit.

Marrja në mbrojtje
Burime pranë Policisë së Shtetit sqarojnë se nga vetë deputeti nuk ka pasur kërkesë zyrtare për ta marrë në mbrojtje. Të njëjtat burime sqarojnë se pas deklaratave publike të deputetit Doshi se kanë dashur ta ekzekutojnë, Policia e Shtetit e ka marrë vetë në mbrojtje atë. Deputeti Doshi pasi kishte marrë dijeni se donin ta ekzekutonin, kishte shtuar forcat e sigurisë pranë vetes dhe që nga shtatori lëvizte me “Audi”-n e blinduar. Pasi ish-deputeti socialist doli publikisht në media dhe rrëfeu se ndaj tij ka pasur një komplot për ta ekzekutuar, Policia e Shtetit e ka marrë seriozisht ngjarjen dhe e ka marrë në mbrojtje deputetin Doshi. Normalisht, duhej që kërkesa për marrjen në mbrojtje të tij të bëhej nga Komisioni i Sigurisë, pas kërkesës së vetë deputetit. Procedura kërkon që, komisioni parlamentar i Sigurisë, në formë zyrtare t’i dërgojë një kërkesë Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit për të marrë në mbrojtje një anëtar të parlamentit. Por, meqë kjo kërkesë deri tani nuk është bërë zyrtarisht, policia e ka parë vetë të arsyeshme që ta marrë në mbrojtje Doshin.
Video
Ish-deputeti socialist para pak ditësh në rrjetin social të “Facebook”, publikoi një video ku shfaqej Durim Bami, i cili rrëfente para Doshit emrat e personave që kishin organizuar ekzekutimin e tij, si edhe mënyrën se si kishin menduar që ta eliminonin. Në videon 8-minutëshe, 36-vjeçari nga Fushë-Kruja sqaronte se ai ishte paguar 500 mijë euro nga Toni dhe ky i fundit kishte marrë porosi për ekzekutimin e Doshit. Veç kësaj, Bami i tregon në video sa herë e kanë ndjekur dhe se si kishin menduar ta eliminonin me tritol. Gjatë deklaratave të tij, deputeti Doshi ka sqaruar se Bamin e ka takuar nëpërmjet deputetit Mark Frroku dhe gjatë këtyre bisedave ai ka mësuar se kanë dashur ta ekzekutonin.
(er.nu/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: