Një tjetër sulm ajror i Shteteve të Bashkuara në Paqësorin lindor ka shkaktuar të paktën dy viktima, pasi ushtria amerikane goditi një anije që dyshohej se ishte e përfshirë në trafik droge. Sipas komandës ushtarake amerikane për Amerikën Latine dhe Karaibet, SOUTHCOM, anija po lëvizte në “rrugë të njohura të trafikimit të drogës” në Paqësorin lindor dhe dyshohej se ishte pjesë e operacioneve të kontrabandës së narkotikëve.
Komanda amerikane publikoi edhe një video bardh e zi prej 10 sekondash, ku shihet momenti i goditjes dhe shkatërrimit të mjetit lundrues. Sipas deklaratës zyrtare, të paktën dy persona humbën jetën, ndërsa një tjetër rezulton të ketë mbijetuar fillimisht pas bombardimit. Roja Bregdetare amerikane u njoftua menjëherë për të aktivizuar operacionet e kërkim-shpëtimit, megjithatë autoritetet nuk dhanë detaje të mëtejshme mbi gjendjen e të mbijetuarit.
Me këtë operacion, numri i viktimave nga fushata amerikane “kundër drogës”, e nisur që prej shtatorit 2025 në Paqësorin lindor dhe në Karaibe, ka arritur në të paktën 192 të vdekur.
Megjithatë, administrata e Donald Trump është kritikuar se nuk ka paraqitur prova konkrete që anijet e goditura kanë qenë realisht të përfshira në aktivitete kriminale. Ligjshmëria e këtyre operacioneve ushtarake në ujëra ndërkombëtare dhe territoriale të huaja është vënë shpesh në diskutim nga ekspertë dhe organizata ndërkombëtare të të drejtave të njeriut. Organizata si Amnesty International dhe Human Rights Watch kanë akuzuar forcat amerikane për “vrasje të paligjshme jashtëgjyqësore” gjatë këtyre operacioneve.
On May 8, at the direction of #SOUTHCOM commander Gen. Francis L. Donovan, Joint Task Force Southern Spear conducted a lethal kinetic strike on a vessel operated by Designated Terrorist Organizations. Intelligence confirmed the vessel was transiting along known narco-trafficking… pic.twitter.com/YFLQNZufRx
— U.S. Southern Command (@Southcom) May 9, 2026
