Deputeti demokrat i Tropojës, Isuf Çela në fjalën e tij në seancën e sotme plenare në Kuvend, u ndal tek vështirësitë me të cilët përballen qytetarët e Tropojës.

Çela tha se qytetarët janë në mjerim të plotë, duke shtuar se fermerët e blegtorët e në këtë qytet nuk kanë mundësi të tregtojnë produktet e tyre, por shikimin e kanë nga Kosova.

Më tej deputeti deklaroi se jo vetëm të rinjtë dhe të rejat , por edhe prindërit e tyre janë të detyruar të kërkojnë punë në qendrën e Gjakovës sepse vendi i tyre nuk ofron asnjë mundësi.

“Banorët fisnikë të Malësisë janë lënë në harresë. Duke na renditur si rrethin më të varfër dhe me emigracionin më të madh në vend. I gjithë mundi i fermerëve dhe blegtorëve shkon dëm. E dini ju të nderuar se malësore punëtorë të Tropojës nuk kanë mundësi tjetër jetese.

Fermerët dhe blegtorët e Tropojës të vetmen mundësi kanë të hedhin vështrimin përtej kufirit, tek vëllezërit e tyre në Kosovë. Ata edhe qumështin dhe djathin nuk kanë mundësi ta tregtojnë në Tropojë, por janë të detyruar ta çojnë në Kosovë. Këta banorë çdo ditë e më shumë ndjehen të braktisur dhe shikimin e kanë nga pjesa e Kosovës.

A thua se nuk e kanë shtetin e tyre, që mendojnë gjithnjë e më shumë që të bashkohen me vëllezërit e Gjakovës, Pejë, Prizren apo Fushë Kosovës. E dini se ata pak të rinj e të reja që kanë mbetur, por edhe prindërit e tyre të moshuar dalin të kërkojnë punë në qendrën e Gjakovës sepse në qytetin e tyre nuk ofrohet asnjë mundësi për ta.

Në Tropojë nuk ka asnjë investim të rëndësishëm edhe pse ka pasuri të rëndësishme. Në fshatra nuk ka më asnjë të ri, edhe ata të rinj që kanë shkuar në Tiranë për shkollim nuk janë kthyer më dhe janë me shpresën për tu larguar nga ky vend. Kapja e çdo institucioni nga “Rilindja” ka bërë që tek ata të humbasë shpresa. Lajm i kobshëm për Tropojën është se edhe Gjykatën e faktit që është në Tropojë, ju e keni vendosur në planin e shkrirjes së saj”, tha më tej Çela.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb