Qazim Laçi është një nga të grumbulluarit e trajnerit Silvinjo. Në konferencën për shtyp, mesfushori i Kombëtares shqiptare deklaroi se do të bëjnë maksimumin për të marrë fitoren e parë në fazën e grupeve.

“Ndjehem shumë krenar që trajneri ka besim tek unë, do mundohem të jap maksimumin. Kjo Kombëtare ka eksperiencë dhe shumë lojtarë të rinj, ne do të japim maksimumin. Nuk e kemi mendjen tek pushimet, jemi profesionistë do bëjmë më të mirën për të fituar dy ndeshjet e radhës.

Nuk ka Kombëtare të forta dhe të dobëta, jemi të barabartë në fushën e blertë. E kemi detyrim të fitojmë ndeshjen e parë në shtëpinë tonë. Të gjithë kemi dëshirë të ecim sa më shumë përpara, kemi Cikalleshin dhe Sadikun me eksperiencë që na ndihmojnë, atmosfera do të bëjë diferencën me Moldavinë.

Po punojmë shumë mirë me Silvinjon, lojtarët janë të përgatitur, duhet të jenë 100% gati për sfidat. Kemi shumë nevojë për tifozët tanë për të fituar. Sezoni nuk vijoi shumë mirë për mua se kam qenë i dëmtuar, por pas janarit dhe deri tani jam shumë i kënaqur pasi fituam dhe kampionatin”, u shpreh Laçi.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb