Futbolli shqiptar po merr formë javë pas javë, me ekipet që kanë riberë edhe një herë llogaritë, ku pa diskutim edhe Kupa po merr shumë vlera, si shansi i fundit për të shpëtuar sezonin. Shpëtim Duron, trajneri i mirënjohur, i ftuar në “News24”, në emisionin “Sport News” të moderuar nga Enxhi Biba, analizoi javën e 20-të por dhe çfarë pret në vijim, kush do të jetë rivali i Tiranës në garën për titull?
Duro foli edhe për “fenomenin” e ri të Superligës, Xhuljano Skuka, futbollisti që po tërheq i vetëm Partizanin.

Këtë herë, Duro u ndalë gjatë edhe tek paraqitja e futbollist shqiptar më të lakuar në Evropë, Armando Broja, lojtar për të cilin kanë shfaq interes pjesa më e madhe e klubeve në Premier League ndërsa së fundmi në skenë ka dalë edhe dy gjigandët gjerman, Bayern Munich dhe B.Dortmund.

Në analizën e tij, Duro u ndal edhe tek Champions League, tek faza e 1/8 dhe favoritët për t’i shkuar deri në fund turneut më të rëndësishëm në Evropë.

Broja është një talent i padiskutueshëm, jo më kot u afrua në kombëtare që në moshë të re. Jam i mendimit që Broja në këto 3 muaj ka bërë një progres të jashtëzakonshëm, jo vetëm në kombëtaren tonë, por edhe në ekipin ku luan.

Ai është kthyer në titullar dhe e kam thënë që është një xhevahir i kombëtares për dekadën e ardhshme. Do të jetë në mënyrë të padiskutueshme ai që do të udhëheqë ekipin tonë kombëtar. Edicioni i ardhshëm është koha e Brojës.

Padiskutim që ndihmon të luash në Premier Ligë, sidomos në këtë edicion kemi shumë që luajnë në këto kampionate. Ne jemi kualifikuar në EURO 2026 dhe nuk kishim futbollistë që të luajnë në nivele të tilla. Pothuajse të gjithë janë në vlera të larta.

Broja ka diçka që e kam thënë që më parë, që në mënyrë të padiskutueshme do të jetë lojtar i Çelsit në sezonin e ardhshëm. Them se nuk do ta lëshojë më se është i ri dhe në mënyrë të padiskutueshme bën diferencën edhe ndaj skuadrave si Totenhem e Mançester Siti, e jo më në vazhdimësi me një ekip si Çelsi që shfaq vlerat edhe më shumë. Unë them që do të jetë një futbollist që do i takojë Çelsit.

Skuka, Broja i kampionatit? Komplimente Skukës, në ndeshjet që është aktivizuar, ka bërë shumë mirë, ka shënuar thuajse në çdo ndeshje, duke i dhënë fitore radhazi Partizanit në Kupë e kampionat. E kam thënë që është një lojtar shumë interesant, jam çuditur si e largoi Dinamo. Ai atje luante në krah, ky jep më shumë rendiment në majën e sulmit, por Dinamo duke pasur Çinedu gjithmonë e spostonte.

Unë them gjithmonë që më mirë të luajë një pjesë loje në pozicionin që jep për ekipin sesa të bëjë spostime. Ai tani është në rolin e duhur në momentin e duhur. Komplimente se çdo gjë e ka arritur vetë, kur ka hapësira është shumë i rrezikshëm, ka çarë me forcat e veta.

A ëshët Dinamo pishman? Gabimet bëhen në çdo skuadër, por problemi është se te Dinamo erdhi si lojtar që kishte shfaqur cilësi te Korabi, ishte 23 vjeç, po aktivizohej, por nuk ka dhënë sa pritej vetëm për faktin e pozicionimit. Jam i bindur se nëse do të luante në majën e sulmit do të shënonte më shumë.

Ai ka hapësira se Partizani e kishte bosh atë pozicion dhe kjo është arsyeja pse po jep maksimumin e til. Patjetër që janë bërë pishman te Dinamo. Janë gjëra që ndodhin, por patjetër që janë bërë pishman:, tha Duro.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb