Kryeministri Edi Rama foli për akuzat ndaj ministrave të tij mbi aferën e inceneratorëve, ku ish-ministri i Mjedisit, Lefter Koka, është i arrestuar dhe nën akuzë për korrupsion.

Rama tha në Komisionin Hetimor për Inceneratorët se vetë ka punuar në dritë të diellit dhe nëse ndonjëri nga vartësit e tij, ka punuar nëpër skuta, do mbajë përgjegjësi vetë para drejtësisë.

Tabaku: A i keni verifikuar ndonjëherë akuzat, a i keni pyetur ndonjëherë ministrat e përfshirë nëse janë akuzat me bazë reale?
Rama: Është pyetje shumë interesante. Ka një shprehje që thotë “mishi është i dobët”, që do të thotë se njeriu vihet në sprova dhe sprova e pushtetit është më e forta, sepse pushteti ka shumë tundime. Ajo që unë si kryeministër bëj është që i referohem asaj që bëhet në dritën e diellit. Çfarë gjithsecili mund të mendojë gabimisht se mund ta bëjë nëpër skuta, duke shfrytëzuar pozicionin, është një çështje që e ka gërryer shumë këtë vend dhe për këtë arsye unë e kam dashur me pasion reformën në drejtësi.

Unë nuk i ndaj njerëzit në të majtë e të djathtë, kur vjen puna për t’u përballur me akuzat e organit të akuzës. Kështu që, çfarë kam bërë unë, patjetër që i kam dëgjuar akuzat, kam dëgjuar akuzat tuaja, kam dëgjuar 430 milionë euro dhe sigurisht që jam alarmuar. Kam vënë alarmin, por më thanë more nuk ka 430 milionë euro, nuk ekzistojnë. Dëgjo juve këtej, shko me vrap atje. Atje plehrat mblidhen, trajtohen, bëhen. Tani, nëse dikush, cilido qoftë, se thashë me ministrin e Mjedisit kam punuar shumë mirë, por kurrë nuk më ka folur për skuta, e kurrë nuk i kam thënë ç’bëhet nëpër skuta, se kemi punuar për projektin. Nëse ai dyshohet për ato që thuhet, e vërteton drejtësia. Problemi që kemi ne këtu, është akuza që keni bërë ju. Ju keni akuzuar për grup të strukturuar. Po ju them që 100 herë të ktheheshim pas, 100 herë do e kishim bërë këtë punë, se sot marrin frymë Fieri, Durrësi, Elbasani, Tirana, etj. Tani s’e di pse më pyesni ju.

“E kuptoj se Big Brother…”, Rama ironi me Tabakun: Ahmetaj mik i Zotos e Mërtirit? Edhe kur dilja me pantallona të shkurtra, s’më interesonte…

Pjesë nga debatet:
Tabaku: A keni informacion se babai i Alqi Bllakos përfitonte nga inceneratorët?
Rama: Unë e çmoj shumë disponibilitetin tuaj, por s’dua t’ju them se shkelët sërish ligjin. Ju nuk keni faktuar asgjë, keni krijuar një opinion tuajin, të cilin mbajeni për vete. Faktet këtu, mendoj unë, janë ato që kemi ardhur t’i çojmë bazuar në dokumente, jo në opinione të krijuara mbi spekulime, që secili ka të drejtën ti bëjë për të dalë në konkluzione. Nuk shoh asnjë lidhje deri tani mes pyetjeve dhe rolit, për të cilin kam ardhur këtu.

Tabaku: A është Arben Ahmetaj një mik i afërt me tre përfituesit e tre inceneratorëve?
Rama: Unë e kuptoj që Big Brother në këtë periudhë ka krijuar shumë audiencë dhe mbase mes nesh ka pasur që e kanë ndjekur, por se kush është miku i kujt, se kush fle me kë, se kush zgjohet me kë, nuk janë të parashikuara në dispozitat kushtetuese të rolit të kryeministrit. Meqë m’u drejtuat si zoti Rama, si zoti dëshmitar, po ju përgjigjem se si kryeministër kjo është jashtë kompetencave të mia të studio miqësitë e secilit prej jush me secilin prej jush, si dëshmitar mendoj se po shkelni ligjin, ndërsa si zoti Rama po ju them se jam i painteresuar, edhe kur dilja me pantallona shkurtra se tani ju ka ikur koha, se çfarë bëjnë tjerët dhe kam refuzuar të them se çfarë bëj vetë.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb