Astrit Hafizi është më kritik se kurrë. Ish-trajneri i Shqipërisë flet pa doreza dhe kryqëzon Edi Rejën për lojën që bëri skuadra kundër Islandës dhe për mënyrën se si po menaxhon të rinj si Asllani, Bajrami dhe Broja. Në një intervistë për “Panorama Sport”, ai bën thirrje që të ndërhyhet menjëherë, sepse Shqipëria nuk mund të vazhdojë në këtë gjendje.

Si ju duk ndeshja e Kombëtares me Islandën?

U bënë disa kohë që unë flas për Kombëtaren, i referohem periudhës që e drejton Reja, por për fat të keq, po biem në përsëritje. Unë edhe disa kolegë të mi.

Pse?

Sepse është po e njëjta skuadër, me të njëjtat mangësi, me të njëjtat tema për të diskutuar. Po flasim për situata dhe vështirësi që i hasim ndeshje pas ndeshjeje. Mirëpo, për fat të keq, trajnerit dhe stafit nga njëri vesh i hyjnë dhe dalin nga veshi tjetër…

Nuk kemi organizim loje sepse mungojnë lojtarët apo se nuk ka një ide të qartë?

Lojtarët besoj se janë në nivelin “intelektual” të skuadrës dhe të pretendimeve që kemi. Ka disa elementë që i janë bashkuar Kombëtares kohët e fundit. Më përpara besoj se i kemi pasur mangët lojtarë me cilësi të tilla. Kemi pasur me shumicë lojtarë që vrapojnë shumë dhe që përplasen. Ndërsa kësaj radhe janë afruar disa “intelektualë” si lojtarë të futbollit modern dhe të avancuar. Më mirëkuptoni: i quaj intelektualë në kuptimin e mirë, sepse kanë ide dhe nivelin e duhur për t’i dhënë tjetër pamje lojës sonë.

Për kë e keni fjalën saktësisht?

E kam fjalën për Asllanin, Bajramin apo Brojën, që hyn te lojtarët e sulmit. Ata janë e ardhmja jonë. Për mendimin tim, afrimi i këtyre lojtarëve dhe aktivizimi i tyre në kampionatin italian apo anglez ia lehtëson punën trajnerit për krijimin e formacionit.

A është bonus që Rusia është përjashtuar në grupin tonë?

Patjetër që po. Mirëpo nëse vazhdojmë të luajmë si pula pa kokë, nuk shkojmë larg. Nuk duhet vetëm që të shpresojmë të fitojmë gjyqin me Serbinë pas batërdisë në Beograd e të shkojmë në Europian… Nuk duhet që të presim të përjashtohet Rusia që ne të kapim vendin e parë… Duhet që të kemi guxim për të fituar dhe ide të qarta se si duhet të luajmë në bazë të cilësive të lojtarëve që kemi. Kam respekt për moshën e Rejës dhe për atë që ka dhënë në Itali, por, me thënë të drejtën, deri tani puna e tij në Shqipëri ka qenë larg pritshmërive. Nuk mund të pranoj dot që të na mungojnë pasimet elementare. Nuk mund të pranoj që lojtarët të kthejnë topin mbrapa pa pikë përgjegjësie dhe të na shpëtojë Berisha. Jo, duhet ndryshim urgjent. Kemi lojtarë me potencial dhe natyrisht duhet të jemi shumë më mirë se kaq. Nesër mund të fitojnë me Izraelin apo edhe me Islandën duke luajtur kështu, por unë nuk jam dakord me këtë mënyrë loje të Kombëtares.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: