Policia japoneze ka arrestuar një grua pranë Tokios, e dyshuar se ka sulmuar rëndë shoqen e saj të dhomës duke i qepur buzët me gjilpërë dhe fije pas një konflikti mes tyre. Ngjarja e rëndë ndodhi më 29 qershor në qytetin Koga, në prefekturën Ibaraki. Viktima, një grua 42-vjeçare, arriti të largohej nga banesa dhe u strehua në një dyqan aty pranë, ku kërkoi ndihmë duke mbajtur një copë letër me fjalën “Ndihmë”, sipas policisë lokale.

Autoritetet arrestuan të dyshuarën, Masai Sakurai, 49 vjeçe, nën akuzën e sulmit. Sipas policisë, ajo jetonte në të njëjtën banesë me viktimën në momentin kur ndodhi incidenti.

“Pas një grindjeje ajo u tërbua dhe më qepi buzët”, mësohet t’u ketë thënë viktima hetuesve, sipas transmetuesit publik japonez NHK. Policia vijon hetimet për të zbardhur plotësisht motivin e sulmit, ndërsa po verifikon edhe raportet se në banesë mund të ketë jetuar një person i tretë. Rasti ka shkaktuar tronditje në opinionin publik japonez, ndërsa autoritetet po përpiqen të sqarojnë rrethanat e konfliktit që çoi në këtë akt ekstrem dhune.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: