Një konflikt i vjetër mes dy të rinjve në Shkodër dyshohet se ka përfunduar në tentativë vrasjeje brenda një kalçetoje. Klaus Fermosi, 25 vjeç, është shpallur në kërkim nga policia, pasi dyshohet se mbrëmjen e 11 tetorit ka tentuar të qëllojë me armë zjarri Jozefin Ujkën, 26 vjeç. Sipas të dhënave paraprake, 25-vjeçari ka hyrë në ambientet e fushës sportive dhe i ka drejtuar pistoletën Ujkës, duke tentuar ta qëllojë. Por arma nuk ka shkrepur, duke bërë që ngjarja të mos përfundonte në tragjedi.

Në momentin e incidentit, në kalçeto ndodheshin edhe persona të tjerë. Ata kanë ndërhyrë për të larguar Fermosin nga vendi i ngjarjes, ndërsa Jozefin Ujka i ka shpëtuar të shtënave. Pas ngjarjes, policia e Shkodrës ka identifikuar dhe shpallur në kërkim Klaus Fermosin. Blutë vijojnë punën për lokalizimin dhe kapjen e tij, si dhe për dokumentimin e plotë të rrethanave të incidentit. Sipas të dhënave paraprake, dy të rinjtë kanë qenë më herët shokë të afërt, por rreth pesë vite më parë janë përfshirë në një konflikt për shkak të një vajze. Në atë kohë, përplasja mes tyre u zgjidh pas ndërhyrjes së familjeve, të cilat arritën të qetësonin situatën.

Megjithatë, marrëdhënia mes tyre dyshohet se nuk është normalizuar plotësisht. Rreth një vit më parë, konflikti është rihapur dhe përplasjet mes dy të rinjve kanë vijuar. Dyshimet janë se kjo përplasje e hershme ka kulmuar mbrëmjen e 11 tetorit, kur Fermosi dyshohet se ka tentuar të qëllojë me armë Ujkën brenda kalçetos, në një ambient ku ndodheshin edhe persona të tjerë. Policia vijon hetimet për të zbardhur motivet dhe rrethanat e plota të ngjarjes, ndërsa Klaus Fermosi mbetet në kërkim.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: