Kryeministri Edi Rama ka mbajtur fjalën në tryezën e përbashkët të diskutimit mes liderëve të Ballkanit Perëndimor dhe Komisioneres për Zgjerimin e Bashkimit Europian, Marta Kos, ku në fokus janë Plani i Rritjes, integrimi ekonomik dhe transformimi i rajonit drejt Tregut të Përbashkët Europian.

Gjatë fjalës së tij, Rama u shpreh se vendet e rajonit duhet të përqendrohen te përfitimet që sjell integrimi europian, veçanërisht në drejtim të ndërtimit dhe forcimit të institucioneve. Ai theksoi gjithashtu se e ardhmja europiane është përgjegjësi dhe se duhet të përcaktohen objektivat për vitin e ardhshëm.

Kryeministri falënderoi komisioneren Marta Kos për mbështetjen dhe angazhimin e saj, duke e cilësuar si një zë të fortë në emër të vendeve të rajonit, por edhe të Bashkimit Europian, kur u kërkon atyre të respektojnë standardet dhe të shmangin veprimet që mund të sjellin vonesa në procesin e integrimit.

“Ajo për të cilën jemi të interesuar është fjala e komisioneres. Shpreh dhimbjen time për Shqipërinë dhe vendet e tjera që nuk janë futur ende. Nëse një ditë do të më thërrisnin të numëroja përfitimet e BE-së, do të sfidoja këdo për të folur, pasi nuk kam ide për të bërë qejfin, por për të folur për ato përfitime që marrim për ndërtimin e institucioneve. Gjithçka ka të bëjë me institucionet.

Të dimë se e ardhmja jonë europiane është përgjegjësi. Duhet të vendosim stekën për vitin e ardhshëm. Thënë këto, dua t’i jap fjalën komisioneres Kos. Dua ta falënderoj atë për punën dhe ka qenë një zë i fortë në emrin tonë. Është zë i fortë në emër të BE-së kur na thotë që të rrimë drejt dhe të mos bëjmë lëvizje që mund të sjellin pasoja në vonesë. Faleminderit për gjithçka, e dashur Marta!”, tha ai.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: