Teksa na ndajnë më pak se dy muaj nga zgjedhjet vendore të 14 majit, aktivitetet politike bëhen më intensive, të paktën në kampin opozitar.

Ish-kryeministri Sali Berisha dhe kandidati i koalicionit “Bashkë Fitojmë” për Bashkinë Tiranë, Belind Këlliçi do të zhvillojnë sot një takim me të rinjtë e FRPD në selinë e Partisë Demokratike, salla “Pjetër Arbnori”.

Po sot në mbrëmje në ora 21:00 Berisha mbledh kryesinë, ku si rend dite është diskutimi dhe miratimi i listave emërore të këshilltarëve bashkiakë të bashkive të vendit për Koalicionin “Bashke Fitojmë”.

Mësohet se deri mesditën e sotme, në mbledhje, kryesisht kryetarët e degëve të grupit të Alibeajt janë më së shumti për të garuar me kandidatë në të gjitha bashkitë e vendit.

Nga ana tjetër ka edhe kryetarë të cilët deklarojnë që në ato degë ku kandidatët e Primareve janë potencialë për të fituar, të lihen pa kandidatë të Alibeajt përballë.

Ndërkohë po sot kryetari i komanduar i PD Enkelejd Alibeaj nxjerr kandidatët për 14 majin. Alibeaj tha dje pas mbledhjes me grupin e PD dhe Kryesinë se sot do të formalizohet vendimi në lidhje me mënyrën si do të garohet në “lokale”.

“Nesër do mblidhen forumet e bazës, do sjellin dhe ata atë që është nevoja. Vendimi final do përbëhet nga kryesia, grupi dhe kolegji.. nesër (sot) do jetë i plotë”, tha ai.

Të hënën është afati i fundit për të çuar në KQZ listat e kandidatëve për kryetarë bashkie dhe këshillat bashkiakë.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb