Këtë të premte djali i Mexhit Picarit dhe vëllai i Dhurata Saliaj, ka kërkuar kujdestarinë e tre fëmijëve të motrës. Kjo pasi ish-polici Picari dhe vajza e tij Dhurata akuzohen se vranë ish-bashkëshortin e gruas, Kudret Saliaj në kohën kur ky i fundit ishte në proces divorci.

Gazetarja Klodiana Lala raportoi për “BalkanWeb” se kujdestarinë e fëmijëve e ka kërkuar edhe xhaxhai i tyre, por dy seanca më herët këtë pretendim e ka ngritur edhe vëllai i Dhurata Saliajt duke kërkuar t’i marrë ai.

Por familja e Kudretit e kundërshton këtë fakt sepse veç faktit që babë e bijë akuzohen se iu vranë të afërmin, Kelmend Picari ka një proces penal për abuzim me të fejuarën e tij e për këtë shkak ata thonë se ai është problematik.

Gjykata e Tiranës nuk i ka bashkuar çështjet, por e ka orientuar Kelmend Picarin të paraqesë padi civile.

Si ndodhi vrasja:

  • foto galeri

Mexhit Picari dhe Kudret Saliaj

Vrasja ndodhi më 4 qershor 2021 në një lokal në kryeqytet, 10 minuta para se pritej të mbahej seanca e radhës për divorc në gjykatë. Mexhid Picari hyri në lokalin ku qëndronte ish-dhëndri dhe e ekzekutoi me armë zjarri këtë të fundit. Nga plumbat, i plagosur mbeti edhe avokati i tij, Adriatik Cama, që ndodhej në një tavolinë me viktimën.
Sipas dëshmitarëve, pas ngjarjes ish-Prokurori Cama ka qenë i vetëdijshëm dhe ka qëndruar aty derisa ka mbërritur policia. Ai ka qenë i tronditur për ngjarjen dhe nuk ka pranuar që kolegë të tij ta dërgonin në spital.

KONFLIKTET MES ÇIFTIT

“Viktima ka pasur një proces të gjatë divorci. Bashkëshortja ka qenë e arrestuar për probleme të dhunës në familje. Po bëheshin seanca për divorc në këto kushte, babai i vajzës ka goditur ish dhëndrin e vet”, tha asokohe drejtori i policise se Tiranes, Rebani Japupaj.
Arrestimi i Mexhit Picarit dhe deklaratat e tij të para:

Sa ka kryer vrasjen, Picari është larguar me këmbë mes pallatesh, ndërsa mësohet se është arrestuar tek shtëpia e vajzës së tij në Yzberisht.
Në momentin që ka dhënë dëshminë u ka thënë se e ka bërë vrasjen për dinjitetin e vajzës, duke thënë se e kanë akuzuar pa të drejtë.
‘E vrava për dinjitetin e vajzës, ma kanë akuzuar pa të drejtë’, është shprehur ai mes të tjerash.

Roli i Dhurata Saliajt në vrasjen e ish-burrit

  • foto galeri

Dhurata Saliaj

Ekzekutimi i Kudrejt Saliajt duket se ka qenë i përgatitur ish-vjehrri dhe gruaja e viktimës.
Burime policore, bënë të ditur asokohe se autori i ngjarjes, Mexhit Picari dhe e bija, Dhurata Saliaj, kanë vëzhguar për rreth 20 minuta para vrasjes të gjitha lëvizjet e Saliajt dhe kanë bashkëpunuar në krim.

Po ashtu, babë e bijë kanë bërë deklarata kontradiktore para hetuesve, duke mos qenë koherent në deklarime. Picari ka deklaruar që në lokal ka qenë i ulur në një prej tavolinave i vetëm, përkundër nga deklarimet e Dhuratës, e cila ka dëshmuar se ka qenë me të atin në kafene.
Mexhit Picari është shprehur se kur po qëndronte në tavolinë, është futur në lokal Kudreti, i cili sipas Picarit, është afruar dhe e ka sharë.
Autori më tej është shprehur para grupit hetimor se duke ditur sa i dhunshëm është Kudreti, ka nxjerrë armën, të cilën e kishte pa karikator. “E kam mbushur, kam vendosur karikatorin dhe më pas kam qëlluar në drejtim të dhëndrit”, – ka thënë ai.
Kudret Saliaj ka qenë në ambientet e lokalit në shoqërinë e avokatit, që mbeti i plagosur dhe të psikologes. Kësaj të fundit, nga tronditja fillimisht i ka rënë të fikët dhe është përmendur pak momente më vonë.

Vlen të përmendet se Kudret dhe Dhurata Saliaj ishin në proces divorci me njeri-tjetrin, ndërsa pritej që gjykata të caktonte dje kujdestarinë e fëmijëve.
Më herët, gruaja 38-vjeçare ishte dënuar me 1 vit e 4 muaj burg për dhunë ndaj fëmijëve dhe vjehrrës, gjë që duket se ka ndikuar që gjyqtarja të përgatiste vendimin që kujdestarinë t’ia jepte Kudret Saliajt.

Pendesa e Mexhit Picarit, jo për vrasjen, por ndaj nipërve e mbesave

  • foto galeri

Mexhit Picari

Më 8 qershor 2021, Gjykata la në burg Mexhit Picarin dhe vajzën e tij Dhurata. Gjatë nisjes së seancës, Picari iu ka kërkuar ndjesë publike mbesacve, nipërve dhe të bijës. Ai tha në seancë se vajza e tij nuk kishte lidhje me ngjarjen,ndërsa theksoi se armën nuk e mori nga çanta e saj, por e kishte në brez.

“Kërkoj ndjesë publikisht për çfarë kam bërë edhe falje. Të më falin nipërit dhe mbesat, i kërkoj falje edhe vajzës që i vrava burrin. Dhurata s’ka patur dijeni. Pistoletën e kisha në brez dhe se mora në çantën e gocës”, ka thënë ai.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb