Historia e Xhoit, vajzës 22-vjeçare nga Kenia, të cilës vendi ynë i mori jetën në lule të rinisë, në mënyrë krejtësisht të padrejtë dhe mizore rikthehet sërish. Kanë kaluar 8 muaj nga ngjarja e rëndë e 13 gushtit të vitit të kaluar, por drejtësia ende nuk është vendosur. Xhoi sot nuk jeton më, ndërsa nëna e saj po vuan dhe ka një brengë të madhe, ajo kërkon drejtësi për vajzën e saj.

“Kush e vrau Xhoin?”
Kanë kaluar dy muaj që Xhoi ndërroi jetë dhe 8 muaj nga ngjarja që i solli asaj vdekjen. Autoritetet vijojnë ende hetimet, por ende asnjë rezultat. Përse po zgjatet kaq shumë çështja e vajzës keniane? Përse drejtësia nuk ka folur në një kohë kaq të gjatë? Ne do të tregojmë sërish se çfarë po ndodh me historinë e Xhoit, çfarë është zbuluar deri më tani dhe çfarë e shkaktoi vdekjen e saj.

News24 e BalkanWeb kanë siguruar raportin e vdekjes së Xhoit nga spitali i Kenias, ku ajo frymoi për herë të fundit. Raporti thotë se Xhoi ndërroi jetë më 13 shkurt 2022 në orën 06:00 të mëngjesit në Spitalin Universitar Kenyatta ndërsa po merrte aty trajtimin mjekësor.

Autopsia e vdekjes është bërë më datë 15 shkurt 2023, dhe në të thuhet se vajza ka hematoma kranike në pjesën e sipërme të trurit të vogël me shenja nekroze dhe ënjtje. Po ashtu mushkëria e djathtë ka 60% ngjitje në murin e kraharorit dhe strukturën përreth si pasojë e goditjeve që ka marrë.

  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri

Rezultati përfundimtar i raportit të vdekjes së Xhoit thotë se shkaku i vdekjes ishte edema e trurit për shkak të dëmtimit të kokës nga përplasja dhe goditjet me forcë. Truri i Xhoit ishte i fryrë dhe i mbërthyer në kafkë, thuhet në raportin e vdekjes.

Pra, sipas raportit, truri i Xhoit nga dëmtimet e rënda dukej sikur kishte vdekur dhe nuk kishte asnjë shans për të mbijetuar dhe se ajo ishte pothuajse e vdekur kur arriti në Kenia. Sipas përshkrimit në raport, për shkak të hematomave të rënda kuptohet që mjekët nuk mund të bënin asgjë për ta mbajtur Xhoin në jetë. Në raportin e vdekjes thuhet se vajza ndërroi jetë prej dëmtimeve të rënda që ka marrë si pasojë e dhunës së ushtruar mbi të. Pra ky raport vërteton faktin se kemi të bëjmë me një vrasje dhe se kushdo që e ka sulmuar Joyn duhet të mbajë përgjegjësi për vdekjen e saj.

Le t’i rikthehemi edhe njëherë ngjarjes.
Çfarë ndodhi rreth orës 4 pas mesnatës të 13 gushtit në dhomën e Xhoit, kush ishin personat që u futën brenda dhomës së vajzës 22-vjeçare? Grupi hetimor ka prova se e gjithë ngjarja është zhvilluar në banesën ku jetonte Xhoi. News24 mëson nga burime të sigurta pranë grupit hetimor se brenda dhomës së Joyt ka qenë më shumë se një person. Pra, kjo ngjarje ka autorë dhe bashkëpunëtorë. Ka dyshime të forta se Xhoi është dhunuar nga më shumë se një njeri. E gjithë ngjarja është zhvilluar nga ora 03:30 minuta deri në orën 06:30 kur në banesë mbërriti shoqja e dhomës së Xhoit, Emili Mutua.
(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb