Nga:AHMET SHQARRI *

Shkëlqimi i mbrëmjes së kësaj fillimjave, kur u shpallën më të mirët e vitit që shkoi në futboll, nuk mbeti pa u përlyer, sadopak. Siç mund të vihet re, krahas meritave e përgëzimeve për fituesit, menjëherë sapo ata u bënë të njohur, nisën kritikat apo kundërshtitë e para, rreth atyre që mund të quhen si shtrembërime apo manipulime me votat e pjesëmarrësve të caktuar në këtë rast për përzgjedhjen e më të mirëve. Tjetër gjë është, p.sh, rasti i Levandovskit, që edhe pse luan në të njëjtin klub (BM) me pretendentin kryesor të fitimit të “Topit të Artë”, portierin Nojer, fitues të titullit Kampion Bote me përfaqësuesen e Gjermanisë, në Brazil 14, megjithatë, e pa të arsyeshme që pikët më të shumta t’ia jepte Kristiano Ronaldos, atij që në aktivitetin më të rëndësishëm futbollistik të globit ishte në rolin e një figuranti dhe jo të një protagonisti të shquar, siç do ta kërkonte fituesi i një trofeu, të cilin, megjithatë, ai e bëri të vetën pikërisht në mbrëmjen e kësaj të hëne, edhe nëpërmjet votës përcaktuese të kapitenit të përfaqësueses polake. Problemi në këtë rast nuk është ky i Levandovskit që votoi ashtu siç desh dhe nuk ja ngatërruan pikët, por për të tjerë, me votën e të cilëve, organizatorët e çmimeve përkatëse duket se kanë bërë sipas qejfit e dëshirave të tyre, subjektive apo konjukturale qofshin ato. Shembujt e demaskimeve publike të të mashtruarve në këtë rast janë bërë tashmë të njohura, që nga ato të kontinentit tonë e deri tek ato hapësirat e vogla të shpërndara në të gjithë këtë rruzull e që kishin të drejtën për të dhënë mendimin e tyre për fituesit. Po i rikthehem edhe njëherë pohimeve të vetë trajnerit të përfaqësueses sonë De Biazi, që ashtu si në edicionin e kaluar të këtij trofeu që përcakton më të shquarit e një viti në futboll, edhe në këtë për të cilin po bëjmë fjalë, ja kanë shtrembëruar votën, duke ja shpërndarë pikët sipas tekave të organizatorëve dhe jo sipas asaj që ai në të vërtetë kishte vendosur!?
Pavarësisht kritereve të njohura në përcaktimin e një fituesi, vota është ajo që i vë vulën gjithçkaje, ndërkohë që në këtë pikë fillojnë e ngatërrohen gjërat, ç’ka jemi duke e provuar në kurriz, gjatë këtyre viteve në demokraci edhe ne shqiptarët. Sepse, kur në opinion krijohet bindja për fitoren e një pale, natyrisht, nisur nga shumë premisa dhe arsye që të shtyjnë ta japësh votën për atë që e meriton, ndodh që gjërat përmbysen e të zhgënjejnë me rezultatin krejt ndryshe që të shfaqet. Ka mbetur gati emblematik ai çast i zgjedhjeve të kaluara për kryetarin e Bashkisë së Tiranës, kur në vend të fituesit të vërtetë, “të shpallur” edhe nën vështrimin e afërt dhe konkret të vetë ambasadorit amerikan Arvizu, që siç vazhdon të thuhet, “përveshi mëngët” atë ditë gjatë numërimit të votave, u shfaq jo ajo që gjithkush e pa në dritën e diellit, por diçka tjetër e sajuar nga ata që kishin pushtetin në dorë. Kjo dukuri, për interesa nga më të ndryshmet, po bëhet e zakonshme në shumë fusha të jetës dhe në këto raste përfitimi prej klaneve klienteliste, ashtu si në të gjithë botën, po bëhet e pranishme përherë e më shumë edhe tek ne. Duke ju rikthyer titullit të këtij komenti, nga ajo që është vënë në dukje me fakte dhe që po vazhdon të diskutohet nëpër mediat e rëndësishme botërore, është e vështirë të mos ngresh dyshime rreth shtrembërimeve apo manipulimit të votave për përcaktimin në këtë rast të fituesve të trofeve përkatës. Ju kujtohet besoj, se si gjatë edicionit të kaluar, presidenti i FIFA-s, Blatter, për të shpëtuar prestigjin e tij pas një deklarate të parakohshme që ja jepte votën e tij Messit, bëri pastaj gjithshka për të ndryshuar situatën, aq sa të shtynte edhe mbylljen e votimeve, duke dashur të rregullonte imazhin e tij në “elektorat”, derisa fitues u zgjodh tjetri! Historia duket se u përsërit edhe këtë herë, me një tjetër personazh të shquar të institucioneve më të larta të futbollit, me presidentin e UEFA-s, Platini, i cili para votimit të këtij edicioni pat shprehur pëlqimin paraprak për t’ia dhënë trofeun përkatës, portierit gjerman Nojer, por kur e pa që pikërisht për këtë Kristiano Ronaldo e injoroi dhe nuk ja dha dorën në ceremoninë përmbyllëse të një aktiviteti ku ishte i pranishëm, bëri si bëri, dhe në një farë mënyre “e rregulloi” edhe ai punën, si Blatteri, që fletët e votimit të shkonin në rrjedhën e interesave të tyre pushtetore. Kjo lloj atmosfere, mesa duket ju shkoi për shtat në të gjitha çmimet që u ndanë, ku subjektivizmi u përputh më së miri me politikat e tyre elektorale dhe gjeografike, ku p.sh, edhe pse goli më i bukur mund të mos ishte ai që u shpall, megjithatë, ata e zgjodhën fituesin nga një vend i largët siç është Kolumbia, për të vazhduar kështu dhe me të tjerët.

(d.d/GSH/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: