Kryeministri Edi Rama, ka deklaruar sot se puna e bërë në shkollat e vendit për edukimin e të rinjve mbi rregullat dhe sinjalistikën e qarkullimit rrugor, ka rezultuar e suksesshme.

Një hap të tillë, ai e konsideroi të domosdoshëm, pasi në të ardhmen të rinjtë do të jenë ata që do të jenë drejtues të mjeteve.

Me anë të një postimi në rrjetin social Facebook, kryeministri ka evidentuar se viti 2021 kishte rreth 20 përqind më pak aksidente krahasuar me vitet paraardhëse. Sipas tij, është e rëndësishme të theksohet se është ulur me 43 përqind propabiliteti që një drejtues mjeti i sapopatentuar të përfshihet në aksident rrugor.

“Shkollë më shkollë për të mësuar rregullat dhe sinjalistikën e qarkullimit rrugor, që fëmijët sot të jenë të sigurt si këmbësorë e pedalues biçiklete, po edhe si shoferë nesër.

Viti 2021: 19.9% më pak aksidente rrugore, 18.8% më pak qytetarë të përfshirë në aksidente, 7.5% më pak fatalitete nga aksidentet, 14.8% më pak aksidente shkaktuar nga sjellja e drejtuesit të mjetit, 37% ulje e indeksit të vdekshmërisë për 10,000 mjete! Domethënëse është ulja me 43% e probabilitetit që një drejtues mjeti i sapopatentuar të përfshihet në aksident rrugor.

Automotorizimi Shqiptar (DPSHTRR) po punon me partneritete dhe programe ndërgjegjësuese e formuese, me 304 institucione arsimore publike e private, në bashkëpunim të ngushtë me Policinë e Shtetit, Ministrinë e Arsimit, Kryqin e Kuq, Klubin Shqiptar të Automobilit dhe Autoritetin Rrugor Shqiptar për Edukimin mbi Trafikun dhe Sigurinë Rrugore, për moshat nën 18 vjeç, me objektiv Planin Global të OKB, OBSH e FIA për uljen e fataliteteve nga aksidentet rrugore me 50% deri në vitin 2030”, ka shkruar Rama.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb