Në prag të ndeshjes së nesërme ndaj Egnatias, në orën 16:45, në stadiumin “Elbasan Arena”, e vlefshme për javën e 25-të në Kategorinë Superiore, në konferencën për shtyp është shfaqur trajneri i Partizanit, Dritan Mehmeti, i cili ka analizuar këtë takim për të kuqtë:

“Ndryshimet kanë ardhur gradualisht sepse kanë ndryshuar dhe ndeshjet. Kanë ndryshuar mënyra e lojës, ritmi dhe në këto ndeshje duhet të kishim marrë më shumë për çfarë kemi dhënë në fushë. Ndeshja që unë kam debutuar me Egnatian, nesër është një histori tjetër.

Egnatia është përmirësuar shumë, prandaj ndeshjet janë të paparashikueshme dhe duhet t’i japim rëndësinë e duhur. Gjatë gjithë kësaj periudhe kemi pasur një kalendar të ngjeshur çdo 3-4 ditë normalisht që do të ketë probleme me dëmtimet.

Cara ka pasur shqetësime në kavilje, besoj se është më mirë tani, por së bashku me stafin mjekësor do të marrim një vendim. Bitri ka pasur një problem virozë. Kallaku vazhdon të vuajë problemet dhe pasojat që i ka lënë COVID-19.

Në aspektin fizik Kallaku nuk ka qenë aty ku duhet, prezantimi, ecuria dhe forma e tij ka ndikuar për të dhënë më të mirën. Për Bitrin shpresojmë të mos ketë temperaturë, Cara besoj se do të jetë i gatshëm. Për Kallakun jemi në pikëpyetje të mëdha sepse ai është me mjekim. Për Malën kemi një përqindje të vogël që mund të mos jetë, por besoj se sot do ta zgjidhim.

Për çështjen e fushës është mendimi i Matko Djarmatit, nëse do të luanim në Tiranë do të kishte një prezencë më të madhe e tifozerisë që është një bonus për ne që na jep shumë motivim sepse kemi shumë të nevojshme dhe të kemi një ecuri të mirë dhe pa tifozerinë nuk ia kemi dalë.

Jam munduar që të kemi plane afat shkurtra për sa i përket gjendjes fizike edhe aspektit psikologjik dhe jam munduar që skuadra të jetë e fokusuar vetëm te ndeshja e radhës. Klubi është ndërtuar që në fillim për objektiva shumë të mëdha. Është më minimalja që Partizani të kërkojë Europën dhe Kupën.

Çdo futbollist dhe trajner i Partizanit duhet ta kuptojë mirë fanellën që kanë veshur dhe duhet t’i përgjigjesh presionin, nëse nuk e mban presionin nuk je në gjendje që të jesh pjesë e këtij klubi.

Motivimi i skuadrës është gjithmonë i vështirë, kur ke përballë kundërshtarë si Egnatia, pa shumë emër, por që janë shumë të organizuara mirë në fushë. Është e lehtë të motivosh ekipin në derbi, apo përballë skuadrave si Vllaznia e Kukësi, por të tilla sfida të nxjerrin shumë probleme.

Për këtë arsye kam punuar shumë për të rritur përqendrimin te lojtarët dhe për t’i dhënë rëndësinë e duhur kësaj sfide, sepse Egnatia ka një grup shumë të mirë që bëjnë diferencën. Ne duhet të kemi personalitetin e duhur në fushë dhe të imponojmë ritmin e lojës.

Duhet të kontrollojmë gjithçka dhe të godasim në momentin e duhur për të marrë fitoren. Unë e kam lënë shumë të qetë Stenio Zhuniorin sa i përket rastit në derbi, sepse nuk më shqetëson aspak një rast i vetëm.

Ajo që mua më shqetëson, është forma që ai po kalon, pasi është një futbollist cilësor dhe ka ardhur për të bërë diferencën këtu te Partizani. Po kalon një moment të vështirë, por besoj që do ta kalojë shpejt. Ai vuan shumë në 20 metrat e fundit, por punon mirë në 1/3-at e fushës.

Unë nuk jam supersticioz, unë jam pjesë e Partizanit, respektoj klubin, mundohem që të prezantoj sa më mirë ngjyrat e klubit, ajo mund të jetë koecidencë dhe ndoshta me Piolin kam modelin e flokëve, por golfi që kisha veshur ishin ngjyrat e klubit, kam veshur xhaketën e klubit dhe e kam për krenari që gjatë gjithë kohës dua të përfaqësoj ngjyrat e skuadrës, pastaj do të eci mirë si Pioli do të ishte kënaqësi shumë e madhe e rëndësishme është që unë të dërgoj Partizanin aty ku duhet.

Që të bësh një kompleks me kaq shumë investim, nuk është aq e lehtë, është e vështirë që të vendosësh afate sepse shumë  gjera nuk varen nga klubi dhe presidenti.

Tani nuk futemi dot sepse kemi një problem që nuk kanë ardhur portat dhe pjesa e pasme e fushës dhe nuk e ka arritur Federata sepse e ka premtuar ajo, nëse do t’i kishte premtuar presidenti do t’i kishte sjellë ky është problemi që nuk kemi arritur të futemi te kompleksi i ri. Fernandinjo është një lojtar me cilësi të mira teknike, dhe është një zgjedhje që e bëri klubi në janar.

Ai bëri një kërkesë dhe një marrëveshje me klubin dhe ranë dakord me konsensus për ndërprerjen e kontratës sepse kishte një problem familjar.

Çdo lojtar është shumë i rëndësishëm pasi kemi shumë ndeshje, megjithatë ky ishte një vendim i Fernandinjos. Kur bëhet fjalë për merkaton e janarit, sidomos kur vijnë lojtarë të huaj, koha e përshtatjes është pak më e gjatë.

Në pozicionin e Mirosavljev është Skuka që po bën mirë. Mirosavljevin e kam aktivizuar pothuajse në të gjitha ndeshjet, por duhet të bëjë shumë më tepër që të arrijë të bëjë diferencën”, përfundoi Dritan Mehmeti.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb