Pak para nisjes së seancës së sotme plenare, gazetarët e që mbulojnë zhvillimet në Kuvend kanë protestuar në lidhje me një vendim për rregulloren e re të këtij institucioni.

Katër ditë më parë Kuvendi publikoi vendimin që përjashton gazetarët nga transmetimi i pavarur i punimeve të Kuvendit dhe Komisioneve Parlamentare.

Gazetarja Esiona Ikonomi i bëri thirrje Kuvendit, maxhoracës që të tërhiqet nga ky vendim, ndërsa theksoi se me këtë vendim cënohet puna e tyre.

“Në mënyrë të vazhdueshme mbuloj prej vitesh kuvendin. Unë nuk nënkuptoj që ky akreditim që të izolohem në bodrum, në katin e parë. Iu jepet akses dy mediave shtetërore. Dua që të jemi aty dhe të transmetoj në mënyrë të lirë dhe të pavarur. I bëj thirrje Kuvendit, maxhorancës që të tërhiqet. Është diçka që mund të negociohet. Kuvendi duhet të bëjë tryezë me gazetarët dhe reporterët.”, tha Ikonomi.

Ndërkohë, gazetari i ‘News24’ Osman Stafa tha se ky ishte një vendim flagrant, duke shtuar se institucionet po kapërcejnë punën e gazetarëve.

“Të gjithë gazetarët e dinë që të bësh gazetari sot. Informacioni është centralizuar. Cënimi që është bërë në këtë rast është flagrant. Pse kanë frikë deputetët ?! Ne kemi vetëm një mikrofon. Ne drejtojmë një pyetje dhe ata përgjigjen para atyre që i kanë zgjedhur. Institucionet po kapërcejnë punën e gazetarëve.”, tha ai.

Vendimi në fjalë synon që t’i vendos gazetarët në një zyrë, të cilët do të duhet të ndjekin zhvillimet e Kuvendit dhe komisionet përmes ekraneve dixhitale. Ky vendim është kundërshtuar nga shoqatat e gazetarëve si dhe organizatat e fjalës së lirë.

NJOFTIMI I GAZETAREVE
Eja KUVENDojmë! Vendimi i Byrosë së Kuvendit për të përjashtuar gazetarët e akredituar nga aksesi i komisioneve parlamentare është cënim i pastër i punës sonë dhe lirisë së medias! Përmes një organizimi spontan, sencibilizues ditën e mërkurë datë 09/06/2021 ftohen të gjithë gazetarët që janë të akredituar në Kuvendin e Shqipërisë që në orën 09:30 para seancës plenare të marrin pjesë në një protestë kundër kësaj vendimarrjeje! PS. Janë të lutura redaksinë e televizioneve të mundësojnë akses për këtë protestë! Kjo është një betejë për fjalën e lirë dhe raportimin e pavarur.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb