Deputeti i Partisë Demokratike, Igli Cara, gjatë fjalës së tij në mbledhjen e Komitetit Parlamentar të Stabilizim-Asociimit në Parlamentin Europian, deklaroi se Shqipëria e ka vendin në Bashkimin Europian, por theksoi se procesi i anëtarësimit duhet të mbështetet mbi meritën, reformat reale dhe respektimin e plotë të vlerave europiane.
Në fjalimin e tij, Cara u ndal te situata politike dhe ekonomike në vend, duke e cilësuar protestën e “Revolucionit të Flamingove” si zhvillimin kryesor politik në Shqipëri. Sipas tij, protesta, e cila nisi për mbrojtjen e zonës së Nartës, është shndërruar në një lëvizje më të gjerë qytetare kundër varfërisë, korrupsionit, mungesës së shërbimeve publike cilësore dhe modelit aktual të qeverisjes.
Duke analizuar ekonominë shqiptare, Cara tha se rritja ekonomike prej rreth 3.3 për qind, e raportuar nga qeveria, nuk është e qëndrueshme, pasi mbështetet kryesisht te ndërtimi dhe pasuritë e paluajtshme, ndërsa sektorët prodhues, bujqësia dhe industria përpunuese, sipas tij, kanë humbur peshë në ekonomi.
Ai ngriti shqetësimin edhe për zhvlerësimin e euros gjatë viteve të fundit, duke pretenduar se fenomeni ka dëmtuar eksportet, remitancat dhe konkurrueshmërinë e turizmit shqiptar. Sipas Carës, çmimet e banesave janë rritur në nivele të papërballueshme për familjet shqiptare, ndërsa tregu i pasurive të paluajtshme është deformuar.
Një pjesë e rëndësishme e fjalës së tij iu kushtua projektit të Portit të Durrësit. Cara deklaroi se transferimi i këtij aseti strategjik është bërë përmes një ligji të posaçëm dhe pa një garë të hapur ndërkombëtare, duke ngritur pyetje nëse një praktikë e tillë është në përputhje me Marrëveshjen e Stabilizim-Asociimit dhe standardet europiane të konkurrencës. Ai kërkoi që ky rast të marrë vëmendjen e institucioneve europiane.
Deputeti demokrat kritikoi gjithashtu legjislacionin për investimet strategjike, zonat e mbrojtura, portet turistike dhe planifikimin territorial, duke argumentuar se këto ndryshime kanë përqendruar vendimmarrjen në duart e qeverisë dhe kanë dobësuar autonominë e institucioneve vendore.
Gjatë fjalimit, Cara iu referua edhe raportit të fundit të Komisionit Europian, duke theksuar se dokumenti evidenton nevojën për forcimin e sundimit të ligjit, transparencës në prokurimet publike, luftës kundër korrupsionit dhe ndërtimit të një administrate publike profesionale. Ai përmendi gjithashtu vlerësimet e Transparency International dhe OECD, të cilat, sipas tij, tregojnë se Shqipëria ka ende sfida të mëdha në luftën kundër korrupsionit, produktivitetin ekonomik dhe ndërtimin e institucioneve të besueshme.
Në fund të fjalës së tij, Cara u shpreh se Shqipëria ka potencial për t’u bërë anëtare e Bashkimit Europian, por kjo, sipas tij, kërkon institucione të forta, ekonomi konkurruese, sundim të ligjit dhe demokraci funksionale.
“Ne nuk kërkojmë favore nga Bashkimi Europian. Ne kërkojmë vetëm që procesi i integrimit të mbështetet mbi të vërtetën, mbi faktet dhe mbi standardet europiane”, përfundoi ai.
Fjala e plotë:
Të nderuar Anëtarë të Parlamentit Europian,
Të nderuar kolegë,
Është nder për mua të marr pjesë në këtë mbledhje të Komitetit Parlamentar të Stabilizim-Asociimit për të diskutuar mbi zhvillimet politike dhe ekonomike në Shqipëri dhe mbi rrugëtimin e vendit tim drejt anëtarësimit në Bashkimin Europian. Për këtë arsye, dëshiroj ta nis me një mesazh shumë të qartë: Shqipëria e ka vendin në Bashkimin Europian.
Ky është një projekt kombëtar, një aspiratë e qytetarëve shqiptarë dhe një objektiv strategjik që ne e mbështesim plotësisht. Anëtarësimi ynë në Bashkimin Europian duhet të jetë rezultat i meritës, i reformave reale dhe i respektimit të plotë të vlerave europiane.
Të nderuar kolegë,
Sot zhvillimi kryesor në Shqipëri është Revolucioni i Flamingove, i cili ka mbushur jo vetëm sheshin kryesor të Tiranës dhe rrugët e saj. Shqiptarët po protestojnë edhe në të gjitha sheshet e botës. Ajo protestë që nisi për shkatërrimin e zonës së mbrojtur në Nartë, sot është kthyer në një protestë për një Shqipëri më të mirë. Protestohet për varfërinë, korrupsionin, mungesën e shëndetësisë dhe arsimit dinjitoz.
Dëshiroj të ndalem te ekonomia shqiptare, një ndër arsyet kryesore përse bashkëkombësit e mi kanë mbushur atë shesh për ditën e 39-të radhazi.
Qeveria paraqet një rritje ekonomike prej rreth 3.3% si dëshmi të suksesit ekonomik. Por pyetja që duhet t’i bëjmë vetes është shumë e thjeshtë: A është kjo një rritje e qëndrueshme? Përgjigjja është jo.
Kjo rritje mbështetet kryesisht te sektori i ndërtimit dhe i pasurive të paluajtshme, dhe jo te sektorët që krijojnë produktivitet, vende pune afatgjata dhe konkurrueshmëri.
Sot ndërtimi përfaqëson rreth 25% të ekonomisë, ndërsa bujqësia ka rënë nga mbi 20% në rreth 15% të PBB-së, industria përpunuese po humbet terren dhe eksportuesit shqiptarë po përballen çdo ditë me vështirësi më të mëdha. Shqipëria vazhdon të ketë produktivitetin më të ulët në rajon.
Zhvlerësimi i euros me rreth 33% në 5 vitet e fundit paraqitet nga qeveria si sukses ekonomik, por në realitet është fatura që po paguajmë si lavatriçe e parave të krimit të organizuar.
Në realitet, ky fenomen ka goditur eksportet, ka ulur vlerën reale të remitancave, që përfaqësojnë mbi 10% të PBB-së, dhe ka dëmtuar konkurrueshmërinë e sektorit të turizmit.
Zhvlerësimi i euros, i pakrahasueshëm me vendet e BE-së apo edhe me ndonjë vend tjetër në botë, është pranuar edhe nga institucioni kryesor i politikës monetare, Banka Qendrore, në raportimin e saj të fundit në Kuvend.
Në të njëjtën kohë, çmimet e banesave janë rritur në nivele të papërballueshme. Sot një familjeje shqiptare i duhen rreth 19 paga vjetore për të blerë një apartament, dhe jo sepse këtë e vendos tregu, por sepse ky treg tashmë është nën kthetrat e grupeve kriminale, faktuar kjo edhe nga hetimet e fundit të Strukturës së Posaçme.
Por problemi nuk është vetëm ekonomik.
Problemi është modeli i qeverisjes.
Gjatë viteve të fundit është ndërtuar një arkitekturë ligjore dhe institucionale që ka ngritur shqetësime serioze për transparencën, konkurrencën dhe funksionimin normal të ekonomisë së tregut.
Ligji për Investimet Strategjike, ndryshimet në legjislacionin për Zonat e Mbrojtura, Paketa e Maleve, Ligji i Porteve, si dhe ligje të posaçme që kanë mundësuar transferimin e aseteve publike strategjike, përfshirë projektin e Portit të Durrësit, janë qartësisht kundër parimeve të konkurrencës së lirë, transparencës dhe trajtimit të barabartë të investitorëve.
Thënë ndryshe, ligje me porosi për miqtë e Ramës.
Por sot dua të ndalem pak më gjatë në rastin e Portit të Durrësit, asetit më të rëndësishëm publik të vendit.
Me një ligj special, sot nuk kemi më një port, por kulla.
Ky projekt u zhvillua pa një garë të hapur ndërkombëtare, ndërkohë që Marrëveshja e Stabilizim-Asociimit dhe parimet e tregut europian mbështeten pikërisht mbi konkurrencën e lirë, transparencën dhe mosdiskriminimin.
Bëhet fjalë për faljen e një porti që, përveçse strategjik, kombëtar dhe rajonal, ka edhe një vlerë mbi 3 miliardë euro.
Sot që flasim, 1/3 e portit është në ndërtim e sipër për apartamente.
Pas disa vitesh Shqipëria nuk do të ketë më një port shtetëror, duke humbur avantazhin strategjik në rajon dhe duke i dhënë një goditje fatale ekonomisë sonë.
Pyetja që kam për ju është:
A mund të ndodhë kjo në një vend që ka firmosur MSA-në, ku qartësisht është sanksionuar që çdo aset publik nuk mund të jepet pa garë?
A ka ndonjë rast të tillë në ndonjë vend të BE-së?
A duhet që kjo shkelje e MSA-së të shprehet në rezolutë?
Nëse mendoni se ky është një rast sporadik, gaboheni.
Për të kuptuar sesi ka funksionuar qeveria Rama në dekadën e fundit, mjafton të lexoni librin “Albania Files”, sipas të cilit rezultojnë 523 projekte resortesh dhe zhvillimesh ndërtimore të koordinuara nga Zyra e Kryeministrit. Është ky i fundit që jo vetëm miraton lejet, por përzgjedh investitorin dhe arkitektin për çdo projekt.
Ky libër është prova se zonat e mbrojtura janë parashikuar të shkatërrohen vite para se ligji të ndryshonte në vitin 2024.
E theksoj që të gjitha projektet miratohen nga K.K.T. (AZHT), organ që drejtohet nga K.M. Rama, duke anashkaluar bashkitë.
Kushtetuta jonë, por edhe MSA-ja, përcakton qartë që në demokraci pushtetet janë të ndara.
A ndodh në ndonjë vend të BE-së që Kryeministri merr edhe kompetencat e pushtetit vendor?
(Sot Rama nuk është vetëm Kryeministër, por edhe kryebashkiak i Shqipërisë.)
Por nuk mbaron me kaq.
Së fundmi u miratua edhe ligji për portet turistike, ku qartësisht të drejtën për përcaktimin e investitorëve strategjikë e ka K.M. Rama.
Kemi ndërhyrje të fortë në pavarësinë e institucioneve të planifikimit territorial dhe funksionimin e ekonomisë së tregut.
Prandaj nuk duhet të habitemi që mijëra qytetarë kanë zgjedhur të protestojnë nën simbolin e “Flamingo Revolution”.
Kur ligje të veçanta përdoren për të përshpejtuar investime strategjike pa garë të plotë, kur asetet publike me rëndësi kombëtare transferohen përmes procedurave që ngjallin debat dhe kur qytetarët krijojnë perceptimin se vendimmarrja ekonomike është gjithnjë e më e përqendruar, protesta bëhet një mjet legjitim demokratik për të kërkuar llogaridhënie.
Ky është një mesazh që meriton të dëgjohet jo vetëm në Tiranë, por edhe në Strasburg.
Këto shqetësime nuk janë vetëm pjesë e debatit të brendshëm politik në Shqipëri.
Edhe Raporti i Progresit i Komisionit Europian ka theksuar vazhdimisht se Shqipëria duhet të forcojë më tej sundimin e ligjit, transparencën në prokurimet publike, mbikëqyrjen e partneriteteve publik-private dhe luftën kundër korrupsionit në nivelet e larta.
Raporti nënvizon se nevojiten rezultate më të qëndrueshme në parandalimin e korrupsionit dhe garantimin e një administrate publike profesionale dhe të depolitizuar.
Kjo tregon se sfida nuk është vetëm ndëshkimi i korrupsionit, por ndërtimi i institucioneve që e parandalojnë atë.
Transparency International, në Indeksin e Perceptimit të Korrupsionit, vazhdon ta rendisë Shqipërinë ndër vendet me perceptim të lartë të korrupsionit në Europë. Kjo tregon se besimi i qytetarëve dhe i investitorëve te institucionet publike mbetet ende i brishtë. Për një vend kandidat për në Bashkimin Europian, lufta kundër korrupsionit nuk është vetëm një kriter negociues; ajo është kusht për zhvillim ekonomik të qëndrueshëm dhe për funksionimin normal të ekonomisë së tregut.
Sot 40% e forcës aktive të punës është larguar nga vendi dhe 35% e të rinjve deklarojnë se duan të emigrojnë. Kemi të bëjmë me një votë mosbesimi ndaj modelit aktual të zhvillimit. Asnjë statistikë makroekonomike nuk mund ta fshehë këtë realitet. Largimi i të rinjve i kushton ekonomisë shqiptare rreth 900 milionë euro çdo vit.
Edhe OECD ka theksuar se Shqipëria duhet ta zhvendosë modelin e saj të zhvillimit drejt rritjes së produktivitetit, inovacionit, kapitalit njerëzor dhe forcimit të institucioneve ekonomike. Rritja afatgjatë nuk mund të mbështetet vetëm te konsumi, ndërtimi apo turizmi, por kërkon investime në industri, teknologji, aftësi profesionale dhe një klimë biznesi të bazuar në konkurrencë të ndershme, siguri juridike dhe institucione të besueshme.
Të nderuar kolegë,
Shqipëria ka nevojë për institucione që funksionojnë, për ekonomi të lirë, për konkurrencë të ndershme dhe për qytetarë që besojnë se mund të ndërtojnë të ardhmen e tyre në vendin e tyre.
Askush nuk duhet të ketë frikë nga e vërteta. Kritika ndaj qeverisjes nuk është kritikë ndaj Shqipërisë, por është mënyra më e mirë për ta afruar Shqipërinë me standardet europiane.
Miqtë e vërtetë të Shqipërisë nuk janë ata që mbyllin sytë përballë problemeve, por ata që ndihmojnë vendin t’i zgjidhë ato.
Shqipëria ka potencial të jashtëzakonshëm.
Por ajo nuk mund të ndërtojë të ardhmen mbi një ekonomi që mbështetet kryesisht te ndërtimi, te informaliteti dhe te vendimmarrja e centralizuar.
Ne nuk kërkojmë favore nga Bashkimi Europian. Ne kërkojmë vetëm që procesi i integrimit të mbështetet mbi të vërtetën, mbi faktet dhe mbi standardet europiane.
Sepse vetëm një Shqipëri me institucione të forta, ekonomi konkurruese, sundim të ligjit dhe demokraci funksionale do të jetë një anëtare e denjë e Bashkimit Europian.
Ju falënderoj për vëmendjen.
