Legjionarët kuqezi, të shpërndarë kudo në Evropë, ishin protagonistw edhe në këtë sesion të merkatos. Të shumtë ishin ata që u lakuan, ndërsa disa të tjerë si Myrto Uzuni vendosën të ndryshonin destinacion, me sulmuesin kuqezi që u transferua në La Liga te Granada.

Erjon Bogdani, ish-sulmuesi i famshëm i Kombëtares, në një intervistë ekskluzive për “News24”, për emisionin “Sport News” të moderuar nga Enxhi Biba, analizoi legjionarët më të rëndësishëm.

Bogdani foli për të ardhmen e Thomas Strakoshës, për rolin e Nedim Bajramit në Kombëtare ndërsa zbuloi edhe lojtarin e ri që pritet të shpërthejë me fanellën kuqezi.

Si një ndjekës i mirë i Serie A, Bogdani analizoi edhe situatën që po kalojnë lojtarët e tjerë që aktivizohen në Itali. Nuk mund të mungonte dhe një koment në lidhje me Armando Brojën, një lojtar që për Bogdanin është një luks që e kemi në Kombëtare.

Uzuni – “Për mendimin tim është një lëvizje shumë e mirë edhe për karrierën e Uzunit, ai e meriton këtë lëvizje se ka pasur një rritje dhe po ta shohim ka ecur në shkallët e duhura. Më kujton lëvizjet e mia në fillim të karrierës time.

E tregoi veten në kampionatin shqiptar, ishte ndër më të mirët, pastaj kaloi në Kroaci e ishte ndër më të mirët edhe atje. Ka pasur shumë oferta dhe pastaj bëri një hap jo shumë të madh, në rritje siç ishte dhe kampionati hungarez, Ferencvaroshi.

Ai luajti, mori pjesë, fitoi kampionatin, bëri gola dhe mori pjesë në evenimentin më të madh të futbollit si Champions, duke luajtur ndaj skuadrave më të mira, duke u paraqitur mirë. Tashmë kaloi në një kampionat shumë të mirë siç është ai spanjoll, shpresoj t’i japë vazhdimësi karrierës së tij se duke treguar veten në këtë skuadër e ligë, do konsolidohet si lojtar, të kalojë në një skuadër të mirë e tregojë veten”.

Balliu – “Luksin ta lëmë jashtë nuk e kemi, por duke parë rolin që ka dhe çfarë mendon trajneri për rolin, duke parë edhe të tjerët që janë në kombëtare, nëse janë në formë apo jo…Por mendoj se të luash titullar në kampionatin spanjoll si ai, mendoj se trajneri e ka parë, është një lojtar që e ka treguar veten se nuk është kampionat dosido, por një nga 5 më të fortët në Europë”.

Strakosha – “Unë para 2-3 javësh, kur Lazio luajti me Salernitanën, takova personalisht Strakoshën dhe drejtorin Igli Tare. Mendoj se puna e Strakoshës ka një vit a më shumë që flasin, që është bërë çështje rinovimi te Lacio.

Mendoj se me atë që ka dhënë Strakosha te Lacio, duhet të rinovohet kontrata e tij. Por nuk kam hyrë në detaje se nuk e di çfarë ka kërkuar lojtari e çfarë i kanë ofruar. Për mendimin tim flasim për një portier shumë të mirë, ka bërë mirë, është në kulmin e karrierës dhe nuk ka problem të ndërrojë skuadër se ka shumë skuadra edhe nga Premier Liga që janë interesuar për Strakoshën.

Mendoj se kjo gjë duhet të zgjidhet sa më shpejt, do të kisha dëshirë ta shihja përsëri në Serinë A, por nëse nuk do të ishte e mundur, mund të ishte Premier apo Bundesliga ku ka skuadra që janë interesuar për Strakoshën.

Ai është kthyer në formën që ka patur më parë dhe për mendimin tim është një portier i besueshëm sidomos në Serinë A. Lacio është një ekip shumë i mirë dhe Strakosha e ka treguar veten sidomos edhe me Lacion me paraqitjen e tij”.

Bajrami – “Sa i përket Bajramit, është një nga më të mirët në Serinë A, e ka treguar në fushën e lojës, duke luajtur shumë mirë, shënuar e dhënë asiste. Ai është një nga kryesorët e Empolit, në janar kishte shumë zëra se ka skuadra të interesuara, ishin interesuar edhe Juventusi apo Sasuolo.

Kartoni dhe vlera e tij është në rritje se edhe Empoli pretendonte që nëse largohej, kërkonte shumë para nga kartoni i tij. Mendoj që është një fantazist, një luks në kombëtaren shqiptare se po e tregon nga java në javë veten. Ai është i ri me perspektivë, mund të japë shumë te Empoli por dhe kombëtarja”.

Asllani – “Ai është një lojtar i cili po tregon vlerat te Empoli, një lojtar shumë i mirë, që nuk ka pasur hapësira si Bajrami, por kur trajneri i dha mundësi ka luajtur shumë mirë. Për mendimin tim do të bëhet kryesor te Empoli, është një lojtar që po e vëzhgojnë 4-5 skuadrat më të mira në Itali.

Si pikë referimi për kombëtaren padyshim që mund të bëhet, por karriera nuk bëhet me ndeshjet që ke zhvilluar, por me ata që do të zhvillosh. I ka mundësitë dhe perspektivën të luajë shumë dhe të jetë pikë fikse në kombëtare, por kjo i ngelet atij që të luajë javë për javë te Empoli dhe duke parë se çfarë do të bëjë në fushë, normalisht i ka mundësitë të luajë shumë mirë me ekipin e tij, si dhe të bëhet pikë fikse me ekipin kombëtar”.

Kumbulla – “Mendoj që Kumbulla është një lojtar shumë i mirë, i ri me perspektivë, e ka treguar në fushë. Ai ka pasur pak probleme se duke pasur strukturë të lartë, është i gjatë shumë dhe nuk është se në fillim kishte shumë hapësira te Roma. Por është një lojtar i cili kur ka luajtur ka treguar veten dhe mendoj se e tregon edhe deklarata e Murinjos i cili ka folur me superlativa.

Roma nuk e largoi se e sheh si një lojtar të perspektives. Unë e pashë në ndeshjen e fundit në Kupë ndaj Interit, luajti pjesën e dytë, është lojtar i cili për mendimin tim do të tregojë veten. Roma bëri shumë mirë që e mbajti në ekip”.

Broja – “Mendoj se është lojtar i ri, me shumë perspektivë, edhe ai mendoj se është si puna e Uzunit, edhe pse si lojtar është rritur në Angli. Kaloi te Vitese ku u rrit si lojtar se bëri një sezon shumë të mirë dhe pastaj shkoi te Çelsi dhe e dhanë hua te Sauthempton dhe po bën shumë mirë.

Po luan dhe bën gola, duke qenë pikë kryesore, mendoj se me këtë rritje e atë që po tregon, nuk diskutohet vitin tjetër që do të kthehet te Çelsi dhe do të luajë mundësitë për të qenë pikë kryesore edhe atje. Mendoj se është i ri, me perspektivë, edhe në kombëtare e kemi parë ndonëse trajneri nuk i ka dhënë mundësinë që të luajë titullar në shumë ndeshje.

Ai duhet të vazhdojë siç po vazhdon, se nuk ka nevojë për këshilla se po e shoh që po luan në mënyrë fantastike edhe te ekipi. Shpresoj që të ketë sa më pak dëmtime, se mos ta lënë mbrapa, por nëse do të vazhdojë kështu, apo si në këto ndeshje, nuk ka nevojë për këshilla. Ka nevojë të ecë para në këtë mënyrë, edhe familjen e ka afër, edhe gjithë Shqipërinë e ka afër, është lojtar i perspektivës për ekipin kombëtar. Që të kemi Brojën në ekipin kombëtar është luks edhe për ne”.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb