Ish-kryeministri Sali Berisha në një konferencë për mediat deklaroi se eksponentë të PD gjatë zgjedhjeve janë kërcënuar me armë.

“Bandat, në Peshkopi ishin nën mbrojtjen e Ballukes, e cila shoqërohej me banditë. Dhe nga hoteli i Ymer Lalës drejtonte operacionet e tyre banditeske elektorale.”, tha Berisha.

Berisha akuzoi kryeministrin Edi Rama se ka përdorur administratën, ndërsa nuk i kurseu kritikat ndaj ministres Belinda Balluku, duke e akuzuar këtë të fundit se në Peshkoni, bandat elektorale ishin në mbrojtjen e saj.

Pjesë nga fjala e Berishës:

Farsa elektorale maj 2023, njërin prej aspekteve më të shëmtuara dhe kriminale kishte shkrirjen në një të bandave, të vrasësve dhe trafikantëve me Policinë e Shtetit në veprimin e tyre terrorizues, kriminal ndaj zgjedhësve dhe qytetarëve.

Bandat u bënë një apo ishin tërësisht nën ombrellën e policisë. Ndaj tyre, narkopolicia jo vetëm që nuk mori masa, por u mor me inskenime të turpshme për opozitarët, në një kohë kur kamionët me euro disponoheshin dhe qarkullonin në krahun e narkoqeverisë kundër zgjedhësve.
Në Shkodër, eksponentë tanë të PD u telefonuan nga banditët, u kërcënuan në mënyrën më të egër prej tyre, u ofruan gjer në 20 milionë lekë për komisioner, nga 10 mijë euro për komisioner.
Në Lezhë, nën mbrojtjen e Policisë së Lezhës, bandat shpërndanë para dhe terror gjatë gjithë natës në zonat e ndryshme të rrethit të Lezhës. Diku, diku janë të filmuara dhe aty duken makinat e bandave dhe makina e policisë që u rri në krahun tjetër për të garantuar veprimtarinë e tyre kriminale.
Bandat, në Peshkopi, ishin nën mbrojtjen e Ballukes, e cila shoqërohej me banditë. Dhe nga hoteli i Ymer Lalës drejtonte operacionet e tyre banditeske elektorale.
Bandat e kthyera nga Dubai, në Durrës dhe rrethe të tjera, në Elbasan dhe vende të tjera, diktuan nën mbrojtjen e policisë, vullnetin e qytetarëve.
Eksponentë të PD-së u bënë pre e atentateve të organizuara për eliminimin e tyre, në Vaun e Dejës, në Lezhë, etj.
Bandat pushtuan qendrat e votimit, siç është rasti i Velipojës. Në Mamurras, ato shpërndanë gjer në 600 euro votën. Të gjitha këto haptas, sepse kishin mbrojtjen e narkopolicisë.
Në Nikël, vrasës e trafikantë bllokuan qendrat e votimit, vunë në presion të madh komisionerët, kurse narkopolicia arrestonte një person me një makinë dhe e mashtronte opinionin publik shqiptar se ai po blinte vota, në një kohë kur ai nuk kishte as edhe një qindarkë me vete. Pavarësisht se nuk kishte në makinë asnjë qindarkë, komunikata e policisë thoshte se u kap duke blerë vota. Si e si të krijojnë zhurmën për blerjen e votave nga opozita dhe jo nga qeveria.
Edhe numri i policisë, atë ditë janë bërë qindra thirrje nga opozitarët. Policia ose nuk përgjigjej, ose u thoshte: paraqiteni me shkrim ankesën, në një kohë kur qendra e votimit ishte e pushtuar.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb