Ndërsa pikturoja ciklin “MOLLA”, pa dyshim që në mendje më vinin të përziera e pa ndonjë rregull, historitë, mitet dhe legjendat e pafundme rreth saj. E perceptoja atë si një objekt-simbol, që e ka shoqëruar njeriun gjithë jetën, deri në ditët e sotme. Kurrë nuk kam ndeshur një frut, që të jetë përgojuar më shumë se sa molla. Përgojuar, në të mirë e në të keq. Më shumë në të keq, aq sa edhe në mentalitetin e njeriut zuri vend padrejtësisht si “Fruti i Mëkatit” apo “Fruti i Evës dhe i Adamit”, frut që bëri që njeriu të bjerë në mëkat e të dëbohet nga Parajsa.” Kështu është shprehur piktori Gazmend Leka, i cili sot çel një ekspozitë të titulluar “Molla” në galerinë “FAB”(3-20 dhjetor). “Ndërsa pikturoja, e dija shumë mirë që në Tekstin Antik nuk gjendet qoftë edhe një rresht, ku të përmendet molla si shtysa e mëkatit fillestar. Nuk flitet aspak për Mollën. Flitet thjeshtë për Frutin”, -thotë ai.

Sipas tij, me një përkthim korrekt, si të flitet për një libër historie, përtej simboleve dhe alegorive, bëhet fjalë thjesht për disa individë që zbritën në tokë, qenie në mish e kocka, të cilët derdhën nëpërmjet lëndës së dalë prej tyre, “TZELÈM ELOHIM” në trupin e njeriut. Derdhën IMAZHIN E ELOHIMËVE. Ndërkallën ADN-në e tyre tek ne. Ne u bëmë “ME imazhin e tyre” dhe jo “SIPAS imazhit të tyre”. Ishte një ndërhyrje e pastër gjenetike. “Disa radhë më poshtë flitet për marrëdhënie seksuale ndërmjet Evës, gruas së parë, dhe njërit prej këtyre individëve, e më poshtë akoma, midis Evës e Adamit. Pas këtij akti, njeriu mund ta përcillte vetë trashëgiminë e pasur gjenetike, nga brezi në brez. U bëmë të ngjashëm me ata që na krijuan, por ata nuk na falën për këtë.

E quajtën DËSHTIM PLANI. Ne e quajtëm MËKAT. U përjashtuam nga Parajsa. Vërtet u larguam, por ruajmë ende në gjenet tona një material shumë të çmuar, ADN-në e tyre”-shkruan ai, duke shtuar se “ndërkohë që njihja këtë “të vërtetë”, ishte e pakuptimtë për mua të vazhdoja të pikturoja Mollën si arketip të së ligës dhe mëkatit. Gjithë njerëzimi, në të njëjtën mënyrë vepron. Në kundërshti me atë që mendojmë, ajo çka bëjmë, është më konservatore, sepse përsërisim kodet e vjetra, që tjetri të na kuptojë në nivelin e inkoshientit. Edhe pse çdo ditë dalin të vërteta, që mund të fusin në kolaps dijet tona e të bëjnë që të rishkruhet historia, ne vazhdojmë t’i lexojmë e t’i dëgjojmë thjesht si për kuriozitet. Vazhdojmë jetën tonë njësoj si më parë, pa u shqetësuar. Jemi shumë të qetë në mes të gënjeshtrës”. Piktori shënon se piktura e ndihmon mbasi piktura është e Vërteta dhe Gënjeshtra vetë, është Realja dhe Iluzorja, të padiferencuara, si dikur, para kafshimit të Mollës, kur nuk ishim të aftë të dallonim të Mirën nga e Keqja. Prandaj e pagëzova ekspozitën thjesht… MOLLA.

Kuratori
Kurator i ekspozitës është Ardian Isufi. Në konceptin kuratorial, ai pyey: çfarë ndodh, kur një ditë prej ditësh ti e kupton që je më shumë se një histori të cilën po ia rrëfen vetvetes? Sipas tij, në jetën tonë, që i shëmbëllen një udhëtimi të mbarsur me realitet dhe ëndrra, përvoja jetësore e artistit e shprehur në art, i përngjan mërmërimës së një “shamani” i cili vepron si ndërmjetës midis botëve të dukshme e të padukshme, që përdor magji për të kontrolluar forcat shpirtërore, për të parathënë të ardhmen, apo për të kuruar sëmundjet.

Isufi thotë se Gazmend Leka si një “i tillë”, i jep magji dhe mister pikturës së tij, duke bashkuar gojëdhëna e duke vendosur apo mbivendosur ngjarje dhe legjenda që nga kohët e vjetra e deri në ditët e sotme. Ai i ri-formaton ato, për të rikrijuar historinë e tij, ashtu siç edhe deklaron se: “Vepra e artit nuk është një mumie, por një organizëm i gjallë”. Është një skenar që nuk ka fillim dhe mbarim, por përbëhet nga shumësi pikash referimi që interferojnë me njëra-tjetrën në formë simbolesh dhe gjurmësh njerëzore. Studioja e tij e punës, si një “ngrehinë e shenjtë” e instaluar në një kryqëzim të Tiranës, ku pikturë pas pikture, nën atmosferën e një “çorganizimi të organizuar” të kërkimit artistik, i përngjan një magazine të mbushur plot e përplot me mollë të shenjta. Cikli i ri i pikturave, “Molla”, sipas Isufit është pjesë e këtij skenari, e kësaj hapësire. Në këtë cikël, Gazmend Leka interpreton mirëkuptimet dhe keqkuptimet mbi “Frutin” e bekuar apo të mallkuar, këputur nga Pema e Njohjes, nga Pema e së Mirës dhe së Keqes. Ai e bën këtë jo vetëm për të hedhur sytë në të thellat e në të errëtat e historisë së mbarë njerëzimit, ku vezullojnë arketipat si konstelacione yjesh, por për të na nxitur edhe neve që të reflektojmë mbi ambiguitetin e simboleve në rrethana apo kohë të caktuara.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb