I palejuar në asnjë rrethanë, aborti në El Salvador merr çdo vit lirinë e qindra grave të cilat në mënyrë të vullnetshme ose jo ndërpresin shtatzëninë dhe e gjejnë veten nga spitali në burg

Maria Teresa Rivera u dënua me 40 vite burg për “krimin” e pësimit të një shtatzënie të dështuar. Dhe megjithatë në El Salvardor, një shtet me mbase situatën më drakoniane në botë për të drejtat e riprodhimit, ajo është një nga ato me fat.

Më herët këtë muaj, në një vendim që u dha zemër aktivistëve kudo në botë, dënimi i zonjës Rivera, e akuzuar se kërkoi të abortonte fëmijën dhe e dënuar për vrasje – u përmbys kur një gjykatës vendosi se nuk kishte mjaftueshëm prova.

Pasi kaloi pesë vite në një qeli të mbipopulluar, kohë gjatë së cilës nuk mori vizita nga familja, ajo më në fund u bashkua me djalin e saj, Oscar.

“Jam e lumtur që jam me tim bir”, i tha ajo “The Independent”, duke buzëqeshur teksa e përqafonte. “Por kam frikë sepse jo e gjithë shoqëria bie dakord me atë që ndodhi”.

Rasti i zonjës Rivera, 33 vjeçe, ka tërhequr vëmendjen ndaj një realiteti që aktivistët në El Salvador e kanë përshkruar asgjë më shumë se sa një betejë për të kontrolluar trupat e grave.

Shteti i Amerikës Latine, që ka një popullsi prej rreth gjashtë milionë banorësh, është vetëm një nga disa shtetet në botë ku aborti është i paligjshëm në të gjitha rrethanat. Pavarësisht kësaj, sipas aktivistëve, asnjë vend nuk i përshtatet El Salvadorit për mënyrën agresive me të cilën detyrohet zbatimi i ligjeve.

Përpara viteve 1998, aborti lejohej në rastet e përdhunimit, incestit, kur një fetus ishte i dëmtuar apo jeta e gruas ishte në rrezik. Po atë vit, nën presionin e konservatorëve fetarë, ligji u ndryshua për të hequr çdo përjashtim. Vlerësohet se nga viti 1998 deri në 2013, më shumë se 600 gra janë burgosur pasi janë akuzuar se kanë kryer abort.

Aktivistët, që u zemëruan nga deklaratat e kandidatit republikan për president Donald Trump, mbi ndëshkimin e grave që kryenin abort, thonë se shifra të mëdha të atyre që janë ndjekur penalisht, janë gra që kanë pësuar një dështim të pavullnetshëm. Pasi kanë nxituar për në spital për ndihmë mjekësore, gratë e kanë gjetur veten të transformuara në vrasëse. Në shumë raste, gratë janë lidhur te krevatet e spitalit nga policia.

“Këto ligje bëhen nga burrat për të kontrolluar trupat e grave”, tha Sara Garcia, një aktiviste me Grupin e Dekriminalizimit të Abortit, që mbështeti zonjën Rivera. “Nëse ligjet do të preknin trupat e tyre, ata nuk do ta bënin një ligj të tillë. Këto ligje janë një formë e dhunës”.

Rivera ishte mes një grupi grash të dënuara për “vrasje nën rrethana rënduese” dhe përballej deri me 40 vite burg. Grupi i “Las 17” ka tërhequr vëmendje ndërkombëtare dhe vendase, dhe ajo është e treta prej grave që po lirohet.

Megjithatë, gjatë gjithë kohës autoritetet vazhdojnë të hetojnë më shumë gra dhe i dërgojnë ato në burg. Ka aktualisht 25 gra pas hekurave për shkak të rregullave strikte. Pothuajse të gjitha janë beqare, të varfra dhe kryesisht të paarsimuara.

Rrethanat e çështjes “Rivera” nuk janë as më shumë e as më pak se shokuese. Në vitin 2011, punonjësja e fabrikës ishte në shtëpinë e saj në San Salvador ku jetonte me të birin dhe vjehrrën, bashkëshorti ishte larguar disa vite më parë, kur u zgjua me etje.

Sipas gjykatës, asaj i ranë të fikët dhe pati dëshirë të kryente nevojat personale. Kur u ul në tualetin e jashtëm, kishte ndier dhimbje të forta sikur t’i dilte një top nga trupi. Asaj i ranë sërish të fikët dhe u gjet nga vjehrra.

Askush nuk e dinte se ajo kishte lindur dhe Rivera nuk e dinte as vetë se ishte shtatzënë. Megjithatë kur u zgjua në spital i thanë se kishte lindur dhe se policia kishte zbuluar në shtëpinë e saj fetusin e vdekur. Ajo u dërgua nga spitali në gjykatë ku u dënua me 40 vjet burg. Një përpjekje ndërkombëtare nga aktivistët, bashkë me presionin nga SHBA, u bë që dënimi të rrëzohej.

“Lirimi i Maria Teresas është një fitore dhe simbolizon shpresë për gratë që kanë vuajtur nën ligjet e padrejta të El Salvadorit”, thotë Nancy Northup, kryetare e Qendrës për të Drejtat e Riprodhimit në Uashington.

“Gratë nuk duhet të përballen kurrë me akuza kriminale kur vuajnë nga problemet e shtatzënisë”.

Lufta për të drejtat e grave në El Salvador po ndodh në kontekst të një shoqërie shumë të pabarabartë dhe një shoqërie që mezi po e merr veten nga lufta civile 12-vjeçare mes një qeverie të kontrolluar nga ushtria dhe guerilasve të krahut të majtë që shkaktoi 75,000 viktima.

20 vite pas armëpushimit që i dha fund luftës, El Salvadori po zhytet sërish në dhunë, e cila ka shpërthyer gjerësisht mes bandave kundërshtare dhe policisë antikorrupsion.

Më herët këtë vi, El Salvadori u bë vendi më vdekjeprurës në kohë paqeje për frymë, një titull që ia mori fqinjit po aq famëkeq, Hondurasit.(shqip)
(er.nu/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: