Këngëtarja e njohur Eli Fara ishte e ftuara speciale në programin “Dola te Ola”, ku dhuroi një mbrëmje shumë të bukur për të gjithë teleshikuesit e News24.

Këngëtarja kujtoi rrugëtimin e saj në muzikë dhe tha se për herë të parë ka kënduar kur ka qenë në klasë të katërt, ndërkohë kur ishte vetëm 16 vjeçe ka marrë pjesë në Festivalin e Gjirokastrës me dy këngë. Ndërkohë në po të njëjtin festival në vitin ‘88 Eli mori pjesë me këngën “Qeraxhiu i Grebenesë”, për të cilën tha se ishte një ëndërr e realizuar, pasi prej kohësh kishte dëshiruar ta këndonte.
“Ishte një lumturi e paparë Festivali i Gjirokastrës”, tha Eli, teksa shtoi se u rrit dhe u formua me instrumentistët dhe muzikantët më të mirë korçarë.

Gjatë gjithë bisedës që kujtonte këto momente të karrierës së saj, Eli interpretoi fragmente të shkurtra në studio duke dhuruar emocione shumë në bukura në këtë ditë të parë të vitit.
Eli Fara mori videomesazhe surprizë nga dy nga mikeshat e saj: nga Lili Tanci, një mike e shtrenjtë e familjes së saj me të cilën ndan çdo gjë dhe nga Aurela Gaçe, me të cilën prej 30 vitesh ndan një miqësi të rrallë.

Në “Dola te Ola” Eli Fara dhe vëllezërit korçarë, Endri dhe Stefi Prifti, zbuluan se ata do të sjellin shumë shpejt një projekt muzikor së bashku, për të cilin jemi të bindur që do të jetë një hit i padiskutueshëm. Ata thanë se kompozitor i këngës është Adrian Hila, i cili gjithmonë ka bërë vetëm këngë hite për ta.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb