FRANCE- Emmanuel Macron ka nisur ditën e parë të punës si president i Francës me çështjen e zgjedhjes së kryeministrit si një ndër pikat kryesore të ditës. Emërimi i kryeministrit, i cili pritet të ndodhë gjatë ditës së sotme, është shumë i rëndësishëm për Macron, i cili duhet të bëjë një performancë të mirë në zgjedhjet parlamentare në muajin e ardhshëm në mënyrë që të ecë përpara edhe me reformat e planifikuara ekonomike.

Shumë ekspertë thonë se Macron, ka gjasa të emërojë kryeministër politikanin nga Partia Republikane, Edourad Philippe. Më pas pritet që presidenti Macron të udhëtojë drejt Gjermanisë për t’u takuar me kancelaren gjermane Angela Merkel me qëllim forcimin e raporteve të vendit të tij me Gjermaninë.

Qeveria gjermane e pret me shumë interes këtë vizitë të politikanit që arriti të mundë lideren e frontit nacional Marine Le Pen.

Macron në fushatën elektorale tërësisht proeuropiane e vuri theksin gjithnjë tek rëndësia e motorit gjermano-francez për Europën. 39-vjeçari Emmanuel Macron u betua dje si president i Francës ku edhe prezantoi axhendën e tij për ripërtëritjen e unitetit francez dhe rindërtimin e besimit në Bashkimin Evropian.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: