Operacioni Forca e Ligjit në muajt e fundit të saj është ndalur në Fier ku i ka nisur formularin 3 të dënuarve.

Saktësisht, kësaj radhe OFL ka shënjestruar Fatmir Kallashin në Fier, të dënuar për prodhim dhe shitje e narkotikëve. Po ashtu Renato Rapajt, i është dërguar formulari pasi është dënuar për vrasje me paramendim mbetur në tentativë.

Ndërkaq nga formulari nuk kanë shpëtuar as Lulëzim Çepele e Shkëlqim Kurpalaj në Tiranë, të dënuar për shfrytëzim prostitucioni.

 

NJOFTIMI NGA POLICIA

OFL, 17 nëntor

 

Vijon pa ndërprerë Operacioni Forca e Ligjit, në zbatim të detyrave të përcaktuara në Aktin Normativ të datës 31 janar 2020.

 

Në kuadër të zbatimit të Ligjit Special për masat pasurore ndaj individëve të dënuar apo akuzuar për krim të organizuar apo krime të rënda, OFL i ka nisur kërkesat me shkrim për vetëdeklarimin e burimeve të pasurisë, shtetasve:

 

F.K., banues në Fier, i dënuar për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”;

 

R.R., banues në Fier, i dënuar për veprën penale “Vrasja me paramendim”, mbetur në tentativë;

 

L.Ç., banues në Tiranë, i dënuar për veprën penale “Shfrytëzimi i prostitucionit”;

 

Sh. K., banues në Tiranë, i dënuar për veprën penale “Shfrytëzimi i prostitucionit”, kryer në bashkëpunim, mbetur në tentativë.

 

Këta individë, si subjekt i Ligjit Special, duhet t’u përgjigjen me shkrim, brenda 48 orësh, të gjitha pyetjeve të OFL-së dhe më pas, përgjigjet e marra do t’i dërgohen SPAK-ut, për veprime të mëtejshme.

 

OFL është në veprim të pandërprerë dhe në kryerje të veprimeve komplekse për vendosjen e sekuestrove emergjente mbi pasuritë e dyshuara të përfituara nga krimi, si dhe për dërgimin e formularëve të vetëdeklarimit të gjithë personave që janë subjekt i Ligjit Special.

 

OFL do të informojë publikun në vijimësi për të gjitha nismat procedurale dhe operacionet ekzekutive që do të kryejë.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb